Në episodin e 64-t të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është akademiku Ali Aliu. (Pjesa e dytë)
Surroi: Gjëja më e madhe që ka ndodhur në vitet ’70 është unifikimi i gjuhës
Publicisti Veton Surroi ka thënë se ngjarja më e madhe që ka ndodhur në vitet ’70 në hapësirën shqiptare ishte unifikimi i gjuhës shqipe.
Duke bashkëbiseduar me akademikun Ali Aliu në podcastin “PIKË”, Surroi e cilësoi Kongresin e Gjuhës si kthesën më të madhe të asaj periudhe.
“Por, gjëja më e madhe që ka ndodhur në vitet ’70 ka qenë gjuha. Ka qenë unifikimi i gjuhës”, ka thënë Surroi.
Aliu, duke folur për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës në atë periudhë, u shpreh se një ndihmë të madhe e kishin dhënë kuadrot universitare nga Shqipëria, të cilët mbështetën fakultetet në fusha ku Kosovës i mungonin profesorët.
Ai përmendi mjekë, inxhinierë dhe profesorë të shquar që, sipas tij, i dhanë shtysë zhvillimit të universitetit, në një kohë kur shumë lëndë, veçanërisht në Fakultetin Teknik, Fakultetin e Mjekësisë dhe shkencat ekzakte, zhvilloheshin në serbokroatisht.
“Vinin mjekët më të shquar, vinin inxhinierët më të shquar që ata i dhanë shpirt fakulteteve dhe universitetit”, tregoi Aliu.
Sipas tij, konsolidimi i Universitetit të Prishtinës ishte një arritje e madhe dhe ndihma e Universitetit të Tiranës ishte e rëndësishme në këtë proces.
“Pa ndihmën e Universitetit të Tiranës nuk do të mund ta bënim në këtë dhe kjo ishte arritje e madhe”, u shpreh Aliu.
Ndërkaq, për Kongresin e Gjuhës, Aliu u shpreh se ai përbënte një kthesë historike që ndikoi jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë hapësirën shqiptare. Ai shtoi se edhe sot vazhdojnë debatet dhe dilemat rreth vendimit për standardizimin e gjuhës.
Surroi vlerësoi se vendimi për krijimin e një standardi unik të gjuhës shqipe ishte më shumë politik sesa profesional.
“Ndonëse vendimi ka qenë politik, më shumë sesa profesional. Vendimi që të krijohet një standard unik, ka qenë politik”, shtoi Surroi.
Aliu: Bashkëpunimi mes universiteteve të Kosovës dhe Shqipërisë, kthesa më e madhe në hapësirën shqiptare
Akademiku Ali Aliu ka thënë se bashkëpunimi mes universiteteve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ai mes Lidhjeve të shkrimtarëve dhe artistëve, përbënte një nga kthesat më të mëdha në hapësirën shqiptare.
Duke bashkëbiseduar me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu tha se kjo frymë bashkëpunimi kishte nisur të ndihej që në fund të viteve ’60, ndërsa u fuqizua në fillim të viteve ’70.
“Qershia mbi tortë ishte bashkëpunimi me Tiranën dhe si frymë nisi që në fund të ’60-ve. Por në fillim të ’70-ve...”, ka thënë Aliu.
Në këtë pjesë të bisedës, Surroi kujtoi vizitën e vitit 1968, kur delegacione nga Shqipëria kishin ardhur në Kosovë për përvjetorin e Skënderbeut.
Aliu u shpreh se atëherë ishte krijuar ndjesia se po ndodhte diçka më e rëndësishme, duke veçuar veçanërisht bashkëpunimin ndërmjet dy universiteteve dhe Lidhjeve të shkrimtarëve dhe artistëve.
“U ndie që aty një frymë që po ndodh diçka më e rëndësishme. Edhe bashkëpunimi i dy universiteteve, dhe bashkëpunimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, besoj unë ka qenë kthesa më e madhe në hapësirën shqiptare”, u shpreh ai.
Aliu kujtoi edhe hapjen e kufijve për libra, njerëz, ide dhe komunikim, duke e cilësuar këtë periudhë si një “dritare të parë” për të.
Ai veçoi veçanërisht vizitën e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë në Kosovë, të udhëhequr nga Dhimitër Shuteriqi, për të cilin tha se ishte figurë që ata e admironin jashtëzakonisht shumë.
“Për mua ka qenë një dritare e parë. E mbaj mend me çfarë admirimi e prisnim ne edhe si figurë, Dhimitrin. Ishte një figurë që mund ta kishim imagjinuar, unë për vete, vetëm në figurat e rilindasve ose të Ismail Qemalit”, deklaroi Aliu.
Aliu: Kosova ka qenë shteti i dytë i shqiptarëve të Jugosllavisë
Akademiku Ali Aliu ka thënë se Kosova në periudhën e Jugosllavisë ishte “shteti i dytë i shqiptarëve”, duke kujtuar fillimin e një faze të re të jetës së tij profesionale pas kalimit nga “Rilindja” në Universitetin e Prishtinës në vitet ’70.
Duke bashkëbiseduar me publicistin Veton Surroi në podcastin “PIKË”, Aliu ka thënë se punësimi në Universitetin e Prishtinës nuk i ishte dukur fillimisht si një kthesë dramatike, por se aty e kishte ndier veten më në fund në vendin që kishte kërkuar dhe dëshiruar.
“Lëvizja nga ‘Rilindja’ në universitet, brenda Prishtinës, në ato momente nuk më dukej që është një kthesë dramatike, por që mund të thuhet edhe ashtu. Më pëlqeu kjo që po e thua ti. Kosova ka qenë shteti i dytë i shqiptarëve të Jugosllavisë. Është e vërtetë”, ka thënë Aliu.
Ai tregoi se me fillimin e kësaj faze të re të jetës u ndje më i pavarur dhe se kishte gjetur vendin ku e kishte ndier se i përkiste.
“Filloi një fazë tjetër e jetës time dhe unë u ndjeva që jam i vetvetes. Sikur e gjeta më në fund vendin që e kam dashur, e kam ndier”, u shpreh ai.