Këtë të hënë 14 shtatori, mbi 340 mijë nxënës të arsimit parauniversitar nisin viti i ri shkollor 2026-2027. Ndërsa 25 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Në nisje të këtij viti të ri shkollor, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, i ka uruar nxënësve një vit të mbarë përmes një video mesazhi të postuar në “Facebook”. Duke premtuar se do të punojë çdo ditë gjatë këtij viti për kushte më të mira për në shkolla.
"Të dashur vogëlushë që sot nisni klasën e parë, që në fytyrë shfaqni buzëqeshje, por brenda jush keni shumë emocione dhe zemrat e vogla ju rrahin fort, kjo do të jetë një ditë që do ta mbani mend gjatë, ndoshta gjatë gjithë jetës suaj, prandaj ne të rriturit, mësuesit, drejtori i shkollës suaj, jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe ju të ruani kujtime të bukura prej saj.
Ju sot do të njihni shkollën tuaj, do të mësoni ku do të jetë klasa juaj, do të mësoni ku është palestra ku do të luani, oborri ku do të pushoni, laboratori inteligjent i shkollës ku do të mësoni të bëni gjëra të bukura, do të mësoni emrat e shokëve dhe shoqeve tuaj. Ne sot jemi së bashku dhe do të jemi së bashku kështu e çdo ditë të vitit shkollor.
Ashtu siç do të jemi edhe me shokët tuaj më të rritur në klasë të dytë, të tretë e me radhë. Që kanë më shumë libra dhe i kanë detyrat pak më të vështira se sa ju. Suksese të dashur nxënës të gjithë arsimit parauniversitar nga parashkollori deri në maturë. Ne do të punojmë çdo ditë këtë vit që ju të keni kushte sa më të mira ku mësoni, laboratore, smartlabe dhe projekte ku ju mund të mësoni e shkëlqeni siç është festivali i shkencës, siç janë olimpiadat, siç është konkursi i gjuhës, apo konkursi i zërave të bardhë nëpër kore", shprehet Kumbaro.
