Aktualitet Sociale

Nis viti i ri shkollor, mbi 340 mijë nxënës në të gjithë vendin!

Në të gjitha shkollat e vendit nis viti i ri mësimor. Mbi 340 mijë nxënës ulen në bankat e shkollës, me rreth 25 mijë, që nisin për herë të parë shkollën.

Në të gjitha shkollat e vendit, MAS ka shpërndarë tekstet shkollore e për herë të parë, i gjithë cikli i arsimit fillor, nga klasa e parë deri në të pestën, është pajisur me libra të rinj e falas.

53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert këtë vit shkollor. Më herët, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se janë miratuar edhe 39 projekte për rikonstruksionin e shkollave. ​

Me fokusin për sigurinë në shkolla, këtë vit do të jenë në shërbim të nxënësve mbi 400 oficerë sigurie, të cilët do të punojnë sipas protokolleve dhe standardeve të përditësuara.

Paralelisht, vëmendje i është dhënë edhe shërbimit psiko-social, me 900 psikologë e punonjës socialë, për t’iu përgjigjur nevojave sociale dhe emocionale të nxënësve.

20 shkolla të Tiranës janë pjesë e projektit pilot “Smart City”, me kushte të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.

Për herë të parë, 408 shkolla në mbarë vendin janë pjesë e programit “Pas shkolle”, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi.

Programi përfshin disa fusha, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.