“Smart City”, Kumbaro: Kamerat inteligjente në shkollat e Tiranës do paralajmërojnë sherret apo konfliktet
Kamerat inteligjente do të jenë një tjetër element i sigurisë në shkolla gjatë këtij viti të ri shkollor. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka shpjeguar në “7pa5” në Vizion Plus, funksionimin e projektit pilot që po zbatohet në 20 shkolla të Tiranës.
Sipas Kumbaros, shkollat e reja janë tashmë të pajisura me kamera tradicionale, të cilat regjistrojnë pamjet dhe mundësojnë verifikimin e tyre në rast të një incidenti.
Ndërkohë, projekti i ri pilot, “Smart City” sjell një tjetër funksionalitet, pasi kamerat inteligjente synojnë jo vetëm të regjistrojnë, por edhe të identifikojnë dhe paralajmërojnë për situata të dyshimta.
“Projekti i ri pilot në 20 shkolla të Tiranës është element i shtuar sigurie, sepse parandalon dhe paralajmëron nëse ka një element të dyshimtë, një mjet apo një konflikt të dyshimtë”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja iu drejtua edhe prindërve, duke theksuar se përdorimi i kësaj teknologjie synon rritjen e sigurisë në ambientet shkollore.
“Të gjithë prindërit i siguroj që përdorimi i këtyre kamerave është 100 mijë herë më i sigurt se celularët që fëmijët kanë nëpër duar”, deklaroi Kumbaro.
Sipas ministres, teknologjia do të shërbejë si një mekanizëm shtesë për parandalimin dhe evidentimin në kohë të problematikave që mund të cenojnë sigurinë e nxënësve dhe stafit në shkolla.
/vizionplus.tv




