Bota

Re e madhe hiri mbi Etna, pezullohen lëvizjet në aeroportin italian të Katanias!

Një emetim i ri i hirit nga vullkani Etna ka shkaktuar sërish alarm të kuq për aviacionin, duke çuar në pezullimin e aktiviteteve në aeroportin e Katanias.

Sipas buletinit të fundit VONA për aviacionin, reja e hirit e shkaktuar nga aktiviteti vullkanik ka arritur një lartësi prej rreth 4 kilometrash.

Edhe pse shpërthimi është përshkruar si i dobët, u shoqërua me një emetim të vazhdueshëm dhe të konsiderueshëm të hirit në atmosferë. Për këtë arsye, niveli i alarmit për aviacionin fillimisht u ngrit në portokalli, përpara se të kalonte në të kuqe.

Sipas të dhënave të fundit, reja e hirit po lëviz në drejtim të juglindjes, me një shpejtësi prej rreth 18 kilometrash në orë, ndërsa gradualisht po shpërndahet.

Parashikimet sugjerojnë se reja nuk pritet të përbëjë një rrezik apo pengesë të rëndësishme dhe të vazhdueshme. Megjithatë, për momentin alarmi i kuq për aviacionin mbetet në fuqi dhe aktivitetet në aeroportin e Katanias në Itali janë pezulluar.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.