Partia Demokratike e Kosovës ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e kësaj partie, Përparim Gruda, Arian Tahiri dhe avokati Faton Fetahu, deponuan të hënën lëndën që kërkon sqarim mbi konstituimin e Kuvendit pas afatit kushtetues të përcaktuar nga vetë kjo gjykatë në qershor të vitit 2025.

“Kemi kërkuar të shpjegohet se çka do të thotë konstituimi i Kuvendit jashtë afatit kushtetues, cilat janë pasojat, çka ndodh me afatet që varen nga konstituimi, se e dini ju që rrjedh afati 60-ditor për presidentin, çka ndodh me ato afate”, shprehet Përparim Gruda, deputet i PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës kërkon vlerësim nga Gjykata Kushtetuese edhe për konstituimin e Kuvendit pa zgjedhur një anëtar të Kryesisë, në rastin konkret, kur nuk është zgjedhur nënkryetari nga PDK-ja. Për këtë çështje, Kushtetuesja, përmes aktgjykimit të publikuar në fillim të vitit 2026, kishte sqaruar se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur kryetari dhe pesë nënkryetarët.

“Ngritëm çështjen e konstatimit jokushtetues mbi konstituimin e Kuvendit pa një anëtar të Kryesisë nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar”, tha Faton Fetahu, avokat i PDK-së.

Krahas kësaj, PDK-ja ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë edhe masë të përkohshme, në mënyrë që të mos merren vendime nga një Kuvend dhe qeveri, siç thonë ata, kundërkushtetuese.

“Konsiderojmë që është imediate, shumë e rëndësishme që fillimisht të vendoset masa, në mënyrë që të mos prodhohen dëme dhe situata më të rënda në kuptim juridik, institucional, sepse edhe qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi, që realisht nuk është i konstituuar, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, shprehet Arian Tahiri, deputet i PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se të martën do të kontestojë në Gjykatën Kushtetuese edhe formimin e qeverisë.

Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e re u formuan të dielën, më 13 shtator, tre muaj pas zgjedhjeve dhe jashtë afateve kushtetuese.

Top Channel