Nis viti i ri shkollor, Skënder Hita mesazh nxënësve: Për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka përcjellë një mesazh urimi për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Në mesazhin e tij, Hita thekson rëndësinë e sigurisë së nxënësve dhe angazhimin e Policisë së Shtetit për të garantuar një mjedis të sigurt në shkolla dhe gjatë rrugëtimit të tyre drejt dijes.
“Çdo fillim viti shkollor sjell një energji të veçantë. Oborret e shkollave mbushen sërish me fëmijë e të rinj, me emocionet e takimeve, me pritshmëri dhe me ëndrra të reja”, shprehet ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nënvizon se, krahas nisjes së një tjetër viti mësimor për nxënësit, për strukturat e Policisë nis edhe një përgjegjësi e rëndësishme për garantimin e sigurisë.
“Sot, për nxënësit nis një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për ne, Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe: të kujdesemi që ky rrugëtim të jetë i sigurt, sepse për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis dhe nuk pushojmë”, thuhet në mesazh.
Hita u ka bërë gjithashtu thirrje nxënësve që të flasin nëse përballen me shqetësime apo situata që i bëjnë të ndihen të pasigurt.
“Nëse diçka ju shqetëson, flisni, sepse zëri juaj ka shumë rëndësi për ne”, thekson ai.
Në përfundim të mesazhit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka uruar nxënësve një vit të mbarë, të suksesshëm dhe të sigurt.




