E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Banorët e lagjes “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë kundër bllokimit të rrugës: Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë

Ilustrim · Vizion Plus

Banorët e lagjes “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë kanë dalë në protestë për bllokimin e rrugës që lidh zonën me pjesën tjetër të lagjes. Sipas tyre, rruga është bllokuar si pasojë e punimeve për ndërtimin e një rruge të re, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve të më shumë se 500 familjeve që e përdorin çdo ditë.

Banorët thonë se rruga ka qenë funksionale prej vitesh dhe kundërshtojnë ndërhyrjen që, sipas tyre, ka penguar qarkullimin. Ata shprehen se askush nuk i ka konsultuar si komunitet për ndryshimin e situatës dhe paralajmërojnë se protestat do të vijojnë çdo ditë.

Një prej banorëve, 73 vjeç, thotë se situata është e papranueshme dhe se bllokimi i rrugës ka krijuar vështirësi për të gjithë komunitetin.

 “Ne na ka bashkuar një hall. Kjo rrugë është bllokuar padrejtësisht. Kjo rrugë ka qenë funksionale. Nuk çojmë dot fëmijët në shkollë, as vetë nuk dalim dot. Për ne është absurde kjo. Këtu janë shumë familje. Kjo nuk pranohet. Unë jam 73 vjeç, është e papranueshme.”

Banorët paralajmërojnë se nuk do të lejojnë vijimin e punimeve nëse rruga që ata përdorin prej vitesh mbetet e bllokuar. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve dhe një zgjidhje që të mundësojë lëvizjen e lirë të komunitetit.

 “Ne kemi dalë të protestojmë për këtë rrugë. Kjo rrugë ka ekzistuar, e kanë devijuar. Ka 200 vjet rrugë, dhe ta bllokosh sot… kur bota është duke bërë ura nëpër oqeane, këta e bllokojnë rrugën për tre metra vend.”

Banorët deklarojnë se do të vijojnë protestat deri në gjetjen e një zgjidhjeje, ndërsa kërkojnë që institucionet përgjegjëse të dalin në terren dhe të dëgjojnë shqetësimet e komunitetit.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.