Një shpërndarës droge shqiptar, që hyri ilegalisht në Britani, i ka shpëtuar burgut sepse partnerja e tij vuan nga depresioni dhe burgjet janë shumë të mbushura.
Urim Morina, 27 vjeç, i shpëtoi burgut pavarësisht se u deklarua fajtor për furnizim me kokainë përmes një bande trafiku dhe për posedim të një dokumenti me emër të rremë.
Shqiptari fillimisht hyri ilegalisht në Britani duke përdorur një dokument udhëtimi me një emër tjetër, pasi u dërgua nga babai i tij ‘me shpresën për të gjetur një jetë më të mirë për veten e tij ‘.
Morinës iu dha dënimi me dy vjet e katër muaj burgim i pezulluar për tre vjet nga gjyqtari James Bromige. Më parë, gjyqtarët kishin fuqinë vetëm për të pezulluar një dënim prej dy vjetësh ose më pak.
Gjykatësi Bromige tha se vendimi i tij për ta kursyer Morinën nga burgu u ndikua nga fakti që partnerja e tij vuante nga depresioni dhe dhimbjet kronike. Ai pranoi që Morina gatuante dhe pastronte për familjen e tij si pasojë e gjendjes së partneres së tij dhe se e çonte partneren e tij në vizita mjekësore.
Morina u arrestua pasi policia bastisi shtëpinë e tij në mars në lidhje me një bandë droge. Oficerët gjetën një telefon celular që ai kishte në përdorim, i cili tregonte se ai shpërndante kokainë gjatë një periudhe 18-mujore.
Nuk u gjet drogë në pronë, por u gjetën pothuajse 700 paund, sipas The Times . Policia gjeti gjithashtu një certifikatë udhëtimi për një burrë me një emër tjetër.
© SYRI.net