Rajoni

“Jemi kaq afër”, Kurti apel për bashkëpunimin në zgjedhjen e presidentit!

Kryeministri Albin Kurti iu bëri thirrje rivalëve politikë për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke thënë se do të ishte “e pafalshme” që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme sërish për shkak të kësaj çështjeje.

Dje, Kuvendi e rizgjodhi Kurtin kryeministër, për herë të katërt, por dështimi për të zgjedhur presidentin e ri do ta çonte vendin në zgjedhje, për herë të katërt në dy vitet e fundit.

Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj… u bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve ta zgjedhimin çështjen e presidentit dhe të ecim përpara, tha Kurti sot në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar.

Në fund të gushtit, Kurti arriti marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, e cila ka 18 deputetë, për të mbështetur Bekim Sejdiun për president.

Por, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta përfillin vendimin e liderit të partisë së tyre, Lumir Abdixhiku.

Kurti u shpreh se sfida me të cilën duhen të përballen është qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, “të cilët nuk duan ta zbatojnë marrëveshjen e arritur me mund e përkushtim pas një procesi bisedimesh jo te lehtë të autorizuara nga kryesitë e partive tona”.

Dy partitë e tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca e kanë bërë të qartë se nuk kanë votë për Sejdiun.

Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, me 120 vende.

Nuk është e qartë se kur do të mblidhet Kuvendi për të votuar për presidentin e ri. Nëse dështon, Kosova do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja.

Thirrja e Kurtit për bashkëpunim vjen në ditën kur PDK-ja i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë punën e Kuvendit të ri, deri kur të shqyrtojë nëse konstituimi i tij, u bë në përputhje me Kushtetutën.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.