Në Bashkimin Evropian janë të paktë liderët e majtë që drejtojnë aktualisht qeveritë. Në këtë grup mund të rikthehet së shpejti edhe suedezja Magdalena Andersson, e cila shpreson të rikthejë socialdemokratët në pushtet në Suedi.
Andersson, e lindur në vitin 1967 në Uppsala, iu bashkua Partisë Socialdemokrate që në moshën 16-vjeçare. Ajo studioi ekonomi në Stokholm dhe vazhdoi studimet edhe në Vjenë dhe Harvard. Në vitin 2014 hyri në parlament dhe më pas u bë ministre e Financave, detyrë që e mbajti për gjashtë vjet. Për një periudhë punoi edhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Në nëntor të vitit 2021, socialdemokratët e zgjodhën si kryetare të partisë. Pak më vonë, Andersson u bë gruaja e parë kryeministre në historinë e Suedisë. Mandati i saj nisi me vështirësi, pasi koalicioni qeverisës u përça, por ajo arriti të rikthejë mbështetjen parlamentare dhe të qëndrojë në detyrë.
Në zgjedhjet e vitit 2022, socialdemokratët humbën pushtetin dhe qeverinë e mori e djathta. Tani Andersson synon rikthimin në krye të vendit. Sondazhet fillimisht i jepnin partisë së saj një avantazh të madh, por diferenca është ngushtuar ndjeshëm dhe rezultati përfundimtar mbetet i hapur.
Një nga ndryshimet më të mëdha në qëndrimet e Andersson ka qenë politika e emigracionit. Ajo është distancuar nga politika më e hapur e qeverive të mëparshme dhe ka kërkuar rregulla më të forta për emigrantët. Sipas saj, personat që duan të jetojnë në Suedi duhet të mësojnë gjuhën, të punojnë dhe të përfundojnë arsimin për të pasur të drejtë të përfitojnë nga disa ndihma sociale.
Në këtë drejtim, Andersson është afruar me kryeministren socialdemokrate të Danimarkës, Mette Frederiksen. Të dyja mbështesin politika më të ashpra për emigracionin dhe sigurinë, ndërsa vazhdojnë të mbrojnë sistemin e mirëqenies sociale.
Gjatë kohës së saj në qeveri, Andersson mbështeti gjithashtu ndryshimin historik të politikës së jashtme suedeze dhe anëtarësimin e vendit në NATO, i cili u realizua në vitin 2024 pas pushtimit rus të Ukrainës.
E martuar me një profesor të ekonomisë dhe nënë e dy fëmijëve, Andersson njihet edhe për pasionin e saj për ngjitjet në male dhe kajakun. Tashmë ajo përballet me një sfidë të re politike: të rikthejë socialdemokratët në pushtet dhe të forcojë pozicionin e së majtës në Evropë.
Lini një Përgjigje