Nga Sam Leith, SPECTATOR
Në librin ‘Catch-22’ të Joseph Heller, koloneli i shqetësuar Cathcart e ka zakon të përpilojë lista të vogla me ngjarjet e fundit. Ai i harton këto lista nën dy tituj: “Sytë e nxirë” dhe “Puplat në kapelën time”. Te të parat vendos gjithçka që duket se dëmton shanset e tij për t’u ngritur në detyrë – të bombardojë përsëri pistën e vet, e kështu me radhë – ndërsa te të dytat vendos gjithçka që do t’i sjellë atij merita.
Më pëlqen të imagjinoj Sam Altmanin, shefin e OpenAI, dhe bashkëdrejtuesit e tij të inteligjencës artificiale duke bërë diçka të ngjashme. Në kolonën “Sytë e nxirë”, pranë kreut të listës mund të gjenim mëkatin fillestar të inteligjencës artificiale gjeneruese. Pavarësisht përpjekjeve për ta anashkaluar duke e quajtur diçka të së kaluarës, asnjë prej këtyre modeleve nuk do të ekzistonte fare po të mos ishte vjedhja në masë e pronësisë intelektuale të pothuajse çdo shkrimtari apo artisti në tokë. Inteligjenca artificiale për konsumatorët, pothuajse e gjitha, është fryt i një peme të helmuar.
Por ka plot “sy të nxirë” edhe në rezultatet e saj. Për të renditur disa: helmimi i ekosistemit të informacionit dhe destabilizimi politik që vjen bashkë me të; zgjerimi i jashtëzakonshëm i mundësive të mbikëqyrjes për regjimet totalitare; çmontimi efektiv i arsimit të mesëm dhe të lartë dhe i perspektivave njohëse të një brezi të tërë; mundësimi i mashtrimeve financiare dhe prodhimi pa kosto, në shkallë të gjerë, i materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve; mundësia e transferimit të kapaciteteve në nivel shtetëror për armët biologjike dhe kibernetike te individë me laptopë; rënia e vrullshme kudo dhe në çdo vend e besimit bazë mes qenieve njerëzore – si dhe krime reale kundër njerëzimit, si pamundësia për ta hequr Copilot-in nga Microsoft Word.
Nën “Puplat në kapelën time”, imagjinoj se do të gjenim: “Palosja e proteinave!” Dhe: “Deshifrimi nga akademikët i disa dorëshkrimeve të lashta jashtëzakonisht të brishta!” Dhe: “Interpretimi i shpejtë i të dhënave nga radioteleskopët!” Plus, me shkronja shumë të vogla lapsi: “Disa prej nesh duke u pasuruar në mënyrë qesharake, ndërkohë që gjithë këto gjëra të këqija po ndodhin.”
Pra, nëse figura të tilla si Papa dhe Madhëria e Tij, Mbreti, janë të gatshëm të ndërhyjnë për të thënë, në thelb, “pritni një minutë me gjithë këtë histori të inteligjencës artificiale”, atëherë ne që po pësojmë “sytë e nxirë” në të vërtetë – që jemi shumica dërrmuese prej nesh – duhet ta mbështesim këtë. Mbreti Charles ka bërë të ditur, përpara samitit për teknologjinë në Dumfries, se zhvillimi i inteligjencës artificiale duhet t’u kushtojë vëmendje “parimeve” dhe të ketë parasysh “përgjegjësitë”, krahas mundësive, duke mos humbur kurrë nga sytë “përfitimet njerëzore për komunitetet”. Kjo, natyrisht, është një re e madhe pambuku që në fakt nuk thotë pothuajse asgjë.
Dhe po, duhet të pranojmë se Madhëria e Tij, si një 77-vjeçar që nuk ka pasur kurrë një telefon celular, mund të ketë një locus standi të kufizuar për të komentuar zhvillimin e teknologjive më të avancuara. Dhe po, mund të qeshim me përmbledhjen e qëndrimit të Mbretit: “Siç e kemi parë për çështje si mjedisi dhe mungesa e ujit, ai shpreson të ofrojë një hapësirë neutrale për të ndihmuar bisedat që janë pjesë e një çështjeje kombëtare dhe globale mbi diçka që do të ndikojë te të gjithë ne.” Një “hapësirë neutrale” për çështjet mjedisore nuk është ajo që shumica e njerëzve do të thoshin se ai ka ofruar.
Por duke përdorur pozitën dhe famën e tij për të thënë, në thelb, “nuk kuptoj gjënë e parë për këtë histori, por jam i shqetësuar prej saj”, ai flet në emër të të gjithëve ne. Ai gjithashtu flet për njerëzit që supozohet se e kuptojnë këtë gjë, por që edhe ata nuk e kuptojnë dhe janë gjithashtu të shqetësuar prej saj. Duke qenë se një pikë qendrore e inteligjencës artificiale është se ajo trajnon veten, programon veten dhe sillet në mënyrë të paparashikueshme, moskuptimi i kësaj gjëje është i përfshirë vetvetiu në të gjithë përzierjen. Ne lëvizim brenda një reje të madhe mosdijeje. Dhe, siç dëshmon dorëheqja mjaft dramatike e studiuesit të inteligjencës artificiale në Anthropic, Jacob Coxon, i cili thotë se mendon se ka një mundësi pak më të madhe se një në dhjetë që inteligjenca artificiale të zhdukë specien njerëzore në vitet e ardhshme, mosdija dhe ankthi janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Por përtej gjithë kësaj qëndron diçka që mund të deshifrohet fare mirë pa terma teknologjikë. Në pamje të parë, ndërhyrja e bezdisshme dhe e detyruar e inteligjencës artificiale, të cilën askush nuk e ka kërkuar, në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme – kërkimi në Google, Copilot, çdo ndërveprim me shërbimet e klientit online që na nxjerr nga vetja – dhe të njëjtat kompani që na thonë se inteligjenca artificiale do t’i japë fund botës siç e njohim, duken si kontradikta. Por të dyja burojnë nga e njëjta gjë: njerëz lakmitarë, të parashikueshëm dhe irracionalë.
Shuma marramendëse kapitali janë investuar në një teknologji që tregon pak ose aspak shenja të një përdorimi nga konsumatorët, aq të përhapur sa të mund ta rikuperojë atë investim. Pra, nga njëra anë, ekziston një interes i fuqishëm për ta detyruar përhapjen dhe përdorimin e kësaj teknologjie. Dhe, nga ana tjetër, paralajmërimi se teknologjia mund të shkaktojë zhdukjen tonë vetëm sa i shtohet reklamës dhe bujës rreth saj. Kjo do thotë, pak a shumë në mënyrë jo shumë të tërthortë, se teknologjia është kaq e fuqishme saqë edhe krijuesit e saj janë të frikësuar prej saj, që është një mënyrë tjetër për ta mbajtur në titujt e lajmeve dhe për t’i rritur rëndësinë dhe çmimin e aksioneve.
“Ne nuk duam të detyrohemi të hyjmë në një garë” është një mënyrë tjetër për të thënë: “nëse detyrohemi të hyjmë në një garë, më mirë vazhdoni të na mbështesni, sepse imagjinoni çfarë ndodh nëse fiton Kina”.
Gjëja nga e cila kanë frikë të gjitha këto kompani të inteligjencës artificiale, dyshoj, nuk është aq shumë singulariteti i stilit Terminator, sesa një korrigjim i zakonshëm dhe i mërzitshëm në tregun e aksioneve. Dhe gjëja, nga e cila duhet të kemi frikë ne të tjerët, është se ato janë të gatshme të shkatërrojnë një pjesë të madhe të jetës moderne vetëm për ta shtyrë sa më gjatë të jetë e mundur atë moment.
Sy të nxirë për të gjithë!
© SYRI.net