Nis procesi mësimor në rrethe, rënie e lehtë e numrit të nxënësve të regjistruar

Shkollat në të gjithë vendin kanë hapur dyert këtë të hënë për nxënësit. Në Shkodër në sistemin publik janë rreth 10 mijë e 800 nxënës, shifër që mbetet pothuajse e njëjtë me një vit më parë.
Në klasat e para janë regjistruar 780 nxënës, ndërsa një vit më parë ishin rreth 800.
Në total, duke përfshirë arsimin publik dhe atë privat, në bankat e shkollave në Shkodër ulen këtë vit rreth 15 mijë nxënës.
Në Qarkun Lezhë, në bankat e shkollave u ulËn këtë vit 13 170 nxënës në bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.
Një situatë e veçantë paraqitet në shkollën 9-vjeçare “Marash Gjoni” në Rrilë, e cila do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.
Për këtë arsye, nxënësit e saj do të zhvillojnë përkohësisht mësimin pasdite në shkollën e bashkuar “Llesh Nik Daka” në Shënkoll.
Në Korçë viti i ri shkollor ka nisur me një rënie të numrit të nxënësve. Sipas të dhënave zyrtare, në arsimin bazë dhe të mesëm këtë vit janë 18,448 nxënës, ose 680 më pak se një vit më parë.
Rënia vihet re edhe në klasat e para, ku këtë vit janë regjistruar 52 nxënës më pak.
Megjithatë, zyrtarisht raportohet se nuk ka shkolla apo klasa të mbyllura.
Në Fier ndërkohë problematikẽ mbetet largimi i nxËnesve nga zonat rurale drejt atyre urbane, çka mund të sjellë edhe mbylljen e shkollave.
Klasat kolektive mbeten një tjetër sfidë në disa fshatra.
Në Berat kanë hapur dyert për vitin e ri arsimor 42 shkolla. Nga shifrat e këtij viti, të krahasuara me një vit më parë,vihet re një rënie e ndjeshme e numrit të nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, ndërkohë që në rënie ka qënë edhe numri i nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Viti i ri shkollor 2026–2027 ka nisur edhe në Qarkun e Gjirokastrës, ku në bankat e shkollave janë rikthyer 5583 nxënës në 72 institucione arsimore.
Po ashtu me qindra nxënes janë ulur në bankat e shkollës sot edhe në Durrës, Vlorë, Elbasan, etj./vizionplus.tv




