Një 67-vjeçar është plagosur me mjet prerës mbrëmjen e djeshme në fshatin Suk të Roskovecit.
Për ngjarjen, Policia ka arrestuar një 52-vjeçar, i dyshuar si autor i plagosjes.
Në pranga ka rënë Bledar Bakaj, 52 vjeç, i cili, sipas të dhënave të bëra publike, rezulton të jetë daja i deputetes Zegjine Caushi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30, në banesën e shtetasit Enver Gremaj, 67 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, Bakaj dyshohet se është konfliktuar për motive të dobëta me 67-vjeçarin dhe më pas e ka goditur atë me një drapër në këmbë. I plagosuri është dërguar për ndihmë mjekësore.
Përveç akuzës për plagosjen, 52-vjeçari dyshohet se ka shkelur edhe një urdhër mbrojtjeje të vendosur nga Gjykata në favor të ish-bashkëjetueses së tij, e cila është vajza e 67-vjeçarit.
Sipas Policisë, Bakaj kishte shkuar në banesën e familjes së ish-bashkëjetueses, pavarësisht masës së vendosur nga gjykata. Pikërisht në këtë banesë dyshohet se ka nisur konflikti që përfundoi me plagosjen e 67-vjeçarit.
Në lidhje me ngjarjen, Bledar Bakaj akuzohet për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.












