Gazetari Osman Stafa ka denoncuar një tjetër skandal në Spitalin Onkologjik në QSUT. Në një video në Facebook, Stafa shprehet se ky spital nuk ofron një nga shërbimet kryesore: brakiterinë për gratë me kancerin e gjirit.
Stafa shkruan se mosofrimi i këtij shërbimi është krim kundër njerëzimit, pasi grave të sëmura u rrezikohet jeta dhe bëhet fjalë për një terapi që nuk zëvendësohet.
Po ashtu, ai u ka bërë thirrje organeve shtetërore që ta rimbursojnë këtë trajtim, në mënyrë që gratë të kurohen jashtë vendit.
Stafa: Ndodhem në Spitalin Onkologjik, në repartin e Radioterapisë, ku këtu tragjedia ndaj jetës vazhdon. Të lësh gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit pa trajtim, pa brakiteri, është një krim kundër njerëzimit.
Të lësh gratë që përballen me kancerin, ku sipas protokollit kjo është një nga trajtimet që nuk zëvendësohet dot me një trajtim tjetër. Po këtu, askush nuk bën asgjë, nga ata që kanë përgjegjësi.
Ish-ministrja Evis Sala iku me premtimin se në fund të vitit do të vendosej brakiterapia. Ministrja e re, Spahiu, do të na tregojë se si duhet të veprojnë gratë që vuajnë nga kanceri për të marrë këtë trajtim jetëshpëtues.
Pse nuk rimbursohet ky shërbim jashtë vendit? Nuk e ke këtë shërbim? Rimbursoje jashtë dhe jepi asaj mundësinë që të luftojë me kancerin. Këtu nuk japin zgjidhje tjetër: nëse ke lekë, shko jashtë; nëse s’ke, vdis në shtëpi.
