Nis viti i ri shkollor në gjithë vendin, më të emocionuarit të vegjlit, 25 mijë nxënës në klasën e parë

Zilja e parë riktheu gjallërinë në oborret e shkollave. Me çantat mbi supe dhe me lule në duar nxënësit hynë në klasa për të nisur kështu vitin e ri shkollor. Emocionet më të forta i përjetuan vogëlushët e klasave të para. Për rreth 25.000 fëmijë, kjo ditë shënoi hapin e pare drejt dijes.
“Shumë mirë. Njoha një vajzë, shoqen time të parë. Do t’u the suksese!”
“Suksese të gjithë fëmijëve!”
“Suksese të gjithëve!”
“Kam ardhur me mamin, babin, nënën, gjyshin dhe vëllain.”
“Ka shumë shokë dhe shoqe.”
“Kam ardhur me nënën, dajën, mamin dhe babin.”
“Mua më pëlqejnë vizatimet dhe pikturat. Më pëlqen edhe se të gjithë do të kënaqemi në shkollë.”
“Gëzuar vitin e ri shkollor!”
Mes librave që do t’i shoqërojnë gjatë këtij viti, të vegjlit e kishin zgjedhur menjëherë të preferuarit e tyre.
“Nga të gjithë librat më pëlqen Abetarja, që të mësoj të gjithë numrat dhe shkronjat. Kam ardhur me mamin dhe gjyshin. Vetëm suksese!”
“Më pëlqeu Abetarja.”
“Matematika më pëlqen më shumë.”
“Abetarja dhe Leximet.”
Edhe mësuesit që do t’i udhëheqin fëmijët në hapat e parë të dijes nuk e fshehën emocionin e këtij fillimi.
“Uroj të gjithë fëmijët: suksese në rrugën e bukur të dijes. Jam krenare që do t’i udhëheq këta fëmijë. Jam e emocionuar; është brezi i tetë që marr. Emocionet sa vijnë e shtohen. Fëmijët në përgjithësi kanë emocione se është hera e parë për ta që ulen në bankat e shkollës. Megjithatë po shoh që po përshtaten shumë mirë me njëri-tjetrin”, u shpreh Adelina Kraja, mësuese e arsimit fillor.
Ndryshe nga vogëlushët që e njohin shkollën për herë të parë, për nxënësit e klasave të nënta korridoret dhe bankat janë tashmë të njohura. Megjithatë, edhe për ta kjo ditë ka një emocion të veçantë.
“Patjetër ngaqë është viti i fundit kemi emocione sidomos për përgatitjet që duhet të bëjmë për testin. Megjithatë si vit i fundit duhet të kënaqemi sa më shumë. Për provimet e fundvitit do kemi pak frikë, por do na mungojë shumë shoqëria dhe momentet që kemi ndërtuar prej vitesh.”
Këtë vit dita e parë e shkollës ishte konceptuar edhe si një ditë orientimi dhe informacioni.
“Është bërë një organizim më ndryshe se vitet e tjera, pra jo mësim, detyra shtëpie, por më tepër festë argëtuese që nxënësit të njihen me njëri-tjetrin, me shokët e rinj. Dotë njihen gjithashtu me rregulloren e shkollës. Këtë vit është theksuar mospërdorimi i telefonit në mësim.”
20 shkolla janë tashmë nën monitorim në kuadër të projektit ”Smart City”, I cili, përmes kamerave inteligjente, synon të rrisë sigurinë në ambjentet e shkollës.
Gjithashtu, një tjetër risi është program pas shkolle, që do të zbatohet në 408 shkolla në të gjithë vendin.




