Mourinho “çmendet” pas Guler: Ka një vizion të jashtëzakonshëm

Jose Mourinho ka shprehur vlerësimin e tij të madh për Arda Guler në prag të sfidës së “La Ligës” ndaj Elches. Talenti turk po kalon një moment të mirë në fillim të sezonit, pas një periudhe të vështirë në Spanjë, e cila u kushtëzua nga dëmtimet.
I transferuar te Real Madridi në verën e vitit 2023, Guler u përball me disa probleme fizike që i vështirësuan përshtatjen me skuadrën. Megjithatë, tashmë 21-vjeçari duket se ka bërë një hap të rëndësishëm përpara.
Turku është aktivizuar kryesisht në krahun e djathtë, por mund të luajë edhe në mesfushë. Në këtë sezon ai ka regjistruar tre ndeshje si titullar në “La Liga”, duke shënuar një gol dhe dhënë dy asistime në 227 minuta.
Në konferencën për shtyp, Mourinho nuk i kurseu elozhet për mesfushorin ofensiv:
“Fizikisht është transformuar, por për mua cilësia e tij në lojë është e jashtëzakonshme. Ka një vizion të madh dhe di ta organizojë lojën. Është një djalë me potencial fantastik dhe me statistika shumë interesante. Ka një ndikim të madh në lojë. Do të doja të thoja se është ‘top, top, top’, por në fakt ai është ‘top, top’.”
Pavarësisht paraqitjeve të mira, Guler ende nuk e ka të garantuar një vend në formacionin titullar. Në ndeshjen e fundit ndaj Rayo Vallecanos, Mourinho preferoi të aktivizonte nga minuta e parë afrimin e ri Yan Diomande, i cili debutoi si titullar me fanellën e “Los Blancos”.
Zgjedhja, sipas mediave spanjolle, nuk dha rezultatet e pritshme. Megjithatë, fjalët e Mourinhos tregojnë qartë besimin e madh te Guler, i cili pritet të ketë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në të ardhmen e Real Madridit.




