Gazetari i News24, Osman Stafa, është kërcënuar me vdekje përmes një mesazhi të dërguar në llogarinë e tij në Facebook. Për këtë ngjarje ka reaguar zyrtarisht edhe Policia e Shtetit.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, të ardhur pas kallëzimit të Stafës, thuhet se dyshohet që kërcënimi të jetë dërguar nga një llogari fallco.
Më tej në njoftimin e bluve bëhet e qartë se rasti tashmë i ka kaluar prokurorisë për hetime më të thelluara.
Rasti është referuar në organin e akuzës dhe të hetimit për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”.
Njoftimi i plotë i policisë:
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas kallëzimit të shtetasit O. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social.
Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.













