SYRI TV/ Neviçishti pa nxënës, shkolla mbyll dyert, në fshat kanë mbetur vetëm të moshuar

16:05, 14/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zonat rurale të vendit po zbrazen, ndërsa shkollat po boshatisen. Në Neviçisht të Korçës, shkolla 9-vjeçare nuk ka hapur dyert këtë vit për shkak të mungesës së nxënësve. E njëjta situatë vihet re edhe në zona të tjera rurale, ku emigrimi dhe largimi i të rinjve kanë sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të fëmijëve. Në Linaj të Malësisë së Madhe, vetëm 5 nxënës kanë nisur këtë vit shkollën. Ky realitet tregon edhe përmasat e tkurrjes demografike në fshatrat shqiptarë.

Shkolla e Neviçishtit, në Bashkinë e Korçës, këtë vit nuk do të presë nxënësit në nisjen e vitit të ri shkollor. Klasat dhe bankat ku për vite me radhë është zhvilluar mësimi tashmë kanë mbetur bosh. Për banorët e fshatit, kjo shkollë, për dekada me radhë, ka qenë vendi ku breza të tërë fëmijësh kanë mësuar, ndaj mbyllja e saj shihet si tregues i zbrazjes së fshatit dhe mungesës së brezit të ri.

Neviçishti është një prej fshatrave që po përballet me tkurrjen e vazhdueshme të popullsisë. Familjet e reja janë larguar, shumë të tjerë kanë emigruar, ndërsa në fshat kanë mbetur kryesisht banorë të moshës së tretë.

Por Neviçishti nuk është rasti i vetëm që mungesa e nxënësve e ka kthyer në simbol të boshatisjes së zonave rurale. Si shkak i emigrimit masiv, edhe në fshatrat e Qarkut të Shkodrës ka pakësim të ndjeshëm të nxënësve. Në fshatin Linaj të Malësisë së Madhe, vetëm 5 nxënës e kanë nisur vitin e ri shkollor në shkollën 9-vjeçare.

Banorët tregojnë se në këtë zonë nuk ka as martesa dhe të rinjtë largohen, pasi nuk shohin të ardhme në këtë vend.

Shifrat e arsimit pasqyrojnë një realitet demografik që prej vitesh po bëhet gjithnjë e më i dukshëm: më pak fëmijë në shkolla, më pak familje në fshatra dhe largime të vazhdueshme të popullsisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco