Kërcënimi me vdekje ndaj gazetarit Osman Stafa ka shkaktuar reagim të fortë politik nga Partia e Lirisë, e cila e konsideron ngjarjen si një tjetër dëshmi të klimës së rëndë të presionit dhe intimidimit ndaj gazetarëve në Shqipëri.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar me tone të ashpra kërcënimet ndaj gazetarit, duke i lidhur ato me publikimin e pamjeve nga protesta e 8 shtatorit pranë Parlamentit.
Sipas Blushit, Stafa dokumentoi me kamerë dhunën dhe veprimet e policisë ndaj protestuesve dhe u përball më pas me kërcënime për jetën.
Reagimi i sekretarit të Përgjthshëm të PL, Tedi Blushi:
Partia e Lirisë dënon me forcën më të madhe krimin shtetëror të kërcënimit me vdekje të gazetarit Osman Stafa, pas publikimit të pamjeve nga protesta e 8 shtatorit pranë Parlamentit, ku ai dokumentoi dhunën barbare dhe aktet arbitrare të Narkopolicisë ndaj protestuesve paqësorë.
Autorët e këtij kërcënimi duhet të përballen pa vonesë me drejtësinë, por përgjegjësia politike për presionin dhe terrorin e pashembullt ndaj gazetarëve është e Edi Ramës, armikut të fjalës së lirë.
Ky krim shtetëror dëshmon edhe një herë klimën shumë të rëndë të intimidimit dhe sulmeve ndaj fjalës së lirë, si dhe cënimit flagrant të së drejtës së publikut për t’u informuar nga Edi Rama dhe Narkoregjimi.
Kërkojmë një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent, garantimin e sigurisë së jetës së gazetarit Osman Stafa, si dhe transparencë të plotë mbi veprimet e strukturave paramilitare të Narkopolicisë të dokumentuara në pamjet e publikuara gjatë protestës.
Partia e Lirisë është në krah të Osman Stafës dhe të çdo gazetari të pavarur, në betejën e përbashkët në mbrojtje të fjalës së lirë, si një nga themelet e demokracisë.
© SYRI.net