AKTUALITET /

Rregullorja e re e GJKKO-së shkon në Kushtetuese, shoqata e gazetarëve: Cenon të drejtën e informimit

Asociacioni kundërshton gjithashtu faktin që rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, por vetëm në faqen e GJKKO-së.

Shkruar nga Versus

Rregullorja e re e GJKKO-së shkon në Kushtetuese, shoqata e

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për pezullimin dhe më pas shfuqizimin e disa dispozitave të rregullores së re të GJKKO-së.

Në padinë prej 127 faqesh, AGSH argumenton se rregullorja kufizon aksesin e gazetarëve në proceset gjyqësore dhe cenon lirinë e medias, të drejtën e informimit dhe publicitetin e proceseve gjyqësore.

Sipas gazetarëve, rregullorja i detyron ata të aplikojnë 24 orë përpara për të ndjekur seancat, ndërsa ndalon përdorimin e celularëve në sallën e gjyqit dhe regjistrimin audio të seancave. Edhe përdorimi i kamerave është i kufizuar.

Kreu i AGSH-së, Isa Myzyraj, e ka cilësuar rregulloren si censuruese dhe ka kritikuar GJKKO-në për mungesën e konsultimit me median.

Një tjetër kundërshtim lidhet me kompetencat e Këshillit të Gjykatës. Sipas AGSH-së, një rregullore e brendshme nuk mund të vendosë kufizime ndaj gazetarëve dhe publikut apo të përcaktojë kushte që prekin publicitetin e procesit penal dhe lirinë e shtypit.

Asociacioni kundërshton gjithashtu faktin që rregullorja nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, por vetëm në faqen e GJKKO-së.

Rregullorja hyri në fuqi më 1 shtator. Pas kësaj, GJKKO mbylli edhe grupin në WhatsApp ku shpërndaheshin njoftimet për gazetarët dhe krijoi një grup të ri vetëm për gazetarët e akredituar.

Ndërkohë, një pjesë e gazetarëve që ndjekin rregullisht seancat e GJKKO-së kanë refuzuar të plotësojnë formularët e akreditimit, duke kundërshtuar edhe kërkesën për deklarimin e të dhënave personale.

Tashmë, Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë kërkesën e AGSH-së dhe të vendosë mbi pezullimin dhe kushtetutshmërinë e dispozitave të kundërshtuara./Versus.al

Poll