E ardhmja e mundësive ekonomike të Serbisë do të varet nga vendimet politike dhe partneritetet që ajo zgjedh sot, paralajmëron Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë lidhur me pyetjet mbi afrimin e Beogradit me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale.
“Shtetet e Bashkuara e inkurajojnë Serbinë të zhvillojë potencialin e saj të plotë – dhe të garantojë sigurinë e saj kombëtare – duke zgjedhur burime dhe furnizues të besueshëm të pajisjeve dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale, si dhe partnerë të besueshëm, si SHBA-ja”, thuhet në përgjigje.
Komisioni Europian rikujton nga ana e tij se harmonizimi i legjislacionit serb me rregullat e bllokut për AI-n, është pjesë e procesit të integrimit evropian.
Serbia, e cila ka statusin e vendit kandidat që nga viti 2012, është zotuar ta përafrojë legjislacionin e saj me këto rregulla. Këto muajt e fundit, ajo e ka thelluar ndjeshëm bashkëpunimin me Kinën në këtë sektor.
Në maj, në Pekin, u nënshkrua një memorandum për bashkëpunimin në inteligjencën artificiale, ndërsa në korrik Serbia u bë një nga shtetet themeluese të Organizatës Botërore për Bashkëpunim në fushën e Inteligjencës Artificiale, WAICO, të themeluar në Shangai.
Marrëveshjet janë pjesë e përpjekjeve të Beogradit për të zhvilluar kapacitetet e tij të AI-t.
DASH i rikujtoi se SHBA-ja është lidere në teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe përfaqëson standardin më të lartë për teknologjinë që është “zhvilluar në mënyrë të përgjegjshme, bazuar në transparencë dhe pa paragjykime ideologjike dhe manipulime të imponuara nga autoritetet”.