Lifestyle

Videot e shkurtra po na mësojnë të mos durojmë më as mërzinë? Studimet po shohin çfarë ndodh me vëmendjen!

Hap TikTok-un për një minutë dhe një video bëhet dhjetë. Një recetë zëvendësohet nga një histori, më pas nga një video humoristike, një reklamë, një këshillë bukurie dhe një tjetër histori. Brenda pak minutash truri ka kaluar mes dhjetëra temave që nuk kanë pothuajse asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Por çfarë ndodh kur ky ritëm përsëritet për orë të tëra çdo javë?

Një numër në rritje studimesh po përpiqen të kuptojnë lidhjen mes konsumit intensiv të videove të shkurtra dhe funksioneve njohëse si vëmendja, kontrolli i impulseve dhe kujtesa.

Një analizë e diskutuar sot nga The Guardian, duke iu referuar një përmbledhjeje të rreth 70 studimeve, argumenton se përdorimi problematik dhe i shpeshtë i përmbajtjeve shumë të shkurtra lidhet me rezultate më të dobëta në disa prej këtyre fushave.

Kjo nuk do të thotë se të shohësh disa video të shkurtra “dëmton trurin” dhe as se çdo përdorues i TikTok-ut, Instagram Reels apo YouTube Shorts do të përjetojë probleme. Lidhja mes përdorimit të teknologjisë dhe funksionimit të trurit është shumë më komplekse dhe shkencëtarët vazhdojnë të studiojnë drejtimin e shkakësisë. Megjithatë, formati ka një karakteristikë të pazakontë: çdo disa sekonda ofron një stimul të ri.

Nëse një video nuk është interesante, nuk ka nevojë të presësh që të përfundojë. Një lëvizje e gishtit sjell menjëherë një tjetër. Algoritmi mëson vazhdimisht çfarë e mban përdoruesin në ekran dhe përshtat përmbajtjen për të zvogëluar arsyet për t’u larguar.

Pikërisht këtu lind pyetja më interesante për jetën jashtë telefonit. Shumë aktivitete të rëndësishme nuk funksionojnë në këtë mënyrë. Një libër mund të ketë faqe të ngadalta. Një film kërkon dy orë vëmendje. Një projekt pune mund të mos japë kënaqësi për ditë të tëra. Edhe një bisedë mes dy njerëzve ka momente heshtjeje. Nëse truri mësohet vazhdimisht me mundësinë për të ndryshuar stimul çdo disa sekonda, toleranca ndaj këtyre momenteve më të ngadalta është një nga çështjet që studiuesit po përpiqen të kuptojnë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.