Zhulali: Shteti-korporatë dhe ekonomia paralele, që po ndërton kompani pas kompanie Edi Rama

Zhulali: Shteti-korporatë dhe ekonomia paralele, që po ndërton kompani pas kompanie Edi Rama

19:09, 14/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Ilda Zhulali

Në maj 2026, raporti i SIGMA (programi i përbashkët OECD-BE për mbështetjen e qeverisjes), ngriti me shqetësim ndërtimin e rrjetit piramidal që ka ngritur Edi Rama në pothuajse të gjithë sektorët e qeverisjes, duke qendërzuar rreth vetes 20 agjenci shtetërore.

Raporti vërente se agjencitë kanë funksione të mbivendosura ose të ngjashme me strukturat ministrore, administrojnë pjesë të konsiderueshme të buxhetit dhe punësojnë numër të madh nëpunësish. Kjo ‘perandori agjencish’ ishte skeleti origjinal, i asaj që do të ndodhte më vonë në formë tregtare. Tashmë Edi Rama po krijon kompani shtetërore që replikojnë logjikën e agjencive, por pa transparencë, kontroll financiar apo llogaridhënie.

Skandali i shpërthyer këto ditë me KAYO është dritarja që na lejon të shohim mekanizmin e plotë të një ekonomie paralele, që po ndërtohet kompani pas kompanie nën qeverinë Rama.

KAYO është prototipi, ose modeli bazë. Krijuar si shoqëri 100% shtetërore nën Ministrinë e Mbrojtjes, KAYO u krijua me qëllim ‘modernizimin’ e industrisë ushtarake. Në praktikë, funksionon si një kompani guaskë, pasi nuk prodhon asgjë vetë, por krijon gjashtë shoqëri të përbashkëta me privatë. Kontratat klasifikohen si ‘strategjike’ ose ‘sekrete’, duke shmangur çdo garë me prodhues të tjerë ndërkombëtarë.

Kështu, fondet e buxhetit të mbrojtjes kalojnë drejtpërdrejt te individë të përzgjedhur ekskluzivisht nga Rama, jashtë kontrollit të KLSH, jashtë kontrollit parlamentar dhe duke shmangur detyrimet ligjore të prokurimit publik. Paratë janë të buxhetit të shtetit, por përfitues është privati.

Korporata e Investimeve Shqiptare, funksionon me të njëjtën logjikë dhe skelet grabitqar, por zbatohet tek pasuritë e paluajtshme. Një shoqëri shtetërore që merr në pronësi çdo pronë publike (bregdet, troje qendrore e vendore) dhe e vë në dispozicion për ‘investime’. Bordi mbikëqyrës ka vetëm 1 përfaqësues publik nga 5. Ndërsa prona publike bëhet asset i një zyre të vetme, jashtë vendimmarrjes apo kontrollit qoftë parlamentar qoftë vendor.

Albanian Digital Solution, e krijuar pikërisht pasi AKSHI u shpall subjekt i një skeme kriminale drejtuar nga një ekip nën akuzë si grup i strukturuar kriminal. ADS trashëgon të dhënat  dixhitale të shtetit dhe infrastrukturën IT, por operon si biznes privat, duke caktuar vetë çmimet e shërbimeve për institucionet publike.

‘Superkompania’ e shëndetësisë, një projekt në zhvillim, ku një shoqëri 100% shtetërore do të monopolizojë të gjithë zinxhirin e furnizimit me barna e pajisje mjekësore për sistemin shëndetësor publik, që shmang tenderat e hapur. I njëjti model, i transferuar te shëndetësia.

Delvina Gas, vijon të njëjtin koncept, në një sektor tjetër. Sipas audiopërgjimit të publikuar prej Arben Ahmetajt, për fushën e gazit të Delvinës, flitet për një ndarje të paracaktuar aksionesh, ku privati do të zotëronte pjesën dërrmuese dhe shteti do të mbante një pjesë të vogël, duke i shpëtuar kështu çdo kontrolli financiar dhe mbajtjeje përgjegjësie.

Pra në një kohë rekord, katër sektorë të ndryshëm, armatim, prona, teknologji, shëndetësi funksionojne sipas të njëjtit skelet grabitqar:

1. Krijohet një agjenci ose kompani ‘e nevojshme për modernizim’, fillimisht me kapital ‘100% shtetëror’, si mburojë ligjore.

2. Brenda saj hapen nën-shoqëri dhe bëhen partneritete/koncesione/marrëveshje me individë të zgjedhur, pothuajse të njëjtët emra që kalojnë nga sektori në sektor.

3. Kontratat klasifikohen si ‘strategjike’/’konfidenciale’ për të shmangur prokurimin e hapur.

4. Paratë merren 100% nga buxheti i shtetit (taksapaguesit shqiptarë).

5. KLSH dhe institucionet mbikëqyrëse mbeten jashtë auditimit.

6. Aseti publik (armë, tokë, të dhëna, barna) kthehet në burim fitimi privat, pa asnjë investim nga ky i fundit.

Përmes kësaj ekonomie paralele, Shqipëria po qeveriset gjithnjë e më pak si republikë dhe gjithnjë e më shumë si një korporatë, me Edi Ramën si të vetmin aksioner real. Çdo kompani e re shtetërore që lind, qoftë kjo KAYO, KISH, ADS, Delvina Gas, ‘superkompania’ e shëndetësisë, apo tjetër është thjesht një degë e së njëjtës firmë. Dhe si çdo korporatë, ajo nuk ka nevojë t'i japë llogari askujt tjetër përveç atij që e themeloi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco