Aktivisti Andi Tepelena ka akuzuar qeverinë për keqqeverisje dhe korrupsion, duke deklaruar se qytetarët shqiptarë përballen me vështirësi ekonomike, ndërsa zyrtarët sipas tij pasurohen përmes skemave të fshehura.
Duke folur gjatë protestës, Tepelena u ndal te hetimet ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku dhe pretendimeve për një vilë të tretë të padeklaruar, duke e lidhur këtë me gjendjen ekonomike të qytetarëve.
“SPAK doli në një deklaratë se një vilë të tretë sekrete të Belinda Ballukut. Ky është një krim, ndërkohë që shqiptarët mezi shtyjnë gjysmën e muajit, pensionistët mezi paguajnë ilaçet, të rinjtë nuk blejnë dot një shtëpi”, tha Tepelena.
Ai akuzoi politikanët se pasuritë e tyre i dërgojnë jashtë vendit ose i kamuflojnë përmes blerjes së vilave.
“Të gjithë i vuajnë shërbimet, keqqeverisjen, e cila punon për një grusht njerëzish, që punon për politikanë të korruptuar, të cilët jo vetëm që nuk mendojnë për popullin, por kanë krijuar një sistem që nuk ngelin këtu, por i çojnë nëpër offshore, i kamuflojnë me vila”, u shpreh ai.














