
Pesë procedura tenderuese janë hapur nga Bashkia Fier për dhënien me qira, për një periudhë 20-vjeçare, të mbi 391 mijë metrave katrorë tokë në zonat bregdetare të Sheq Marinas dhe Grykës, në Njësinë Administrative Topojë.
Procedurat janë hapur në ditën e parë të vitit të ri shkollor dhe kanë në fokus pesë pasuri në pronësi të Bashkisë Fier, të cilat rezultojnë të kategorive “ranishte” dhe “tokë pa frut”.
Sipas dokumenteve të procedurave, sipërfaqet që kërkohet të jepen me qira janë përkatësisht 109.800 m², 76.000 m², 76.443 m², 68.835 m² dhe 60.000 m², me një total prej 391.078 metrash katrorë.
Të pesë pronat ndodhen në zonën bregdetare të Adriatikut, në afërsi të grykëderdhjes së lumit Seman. Bashkia Fier ka përcaktuar një periudhë 20-vjeçare për dhënien me qira të këtyre sipërfaqeve.
Sipas të dhënave të procedurës, vlera minimale e përcaktuar për qiranë është rreth 270 mijë lekë të vjetra për hektar në vit.
Me një territor total prej rreth 39.1 hektarësh, bëhet fjalë për një sipërfaqe të konsiderueshme toke publike që mund të kalojë në përdorim të subjekteve private për dy dekada.
Qëllimi i përcaktuar në procedurë lidhet me ushtrimin e aktiviteteve tregtare në fusha të ndryshme.
Dhënia me qira e këtyre sipërfaqeve të mëdha rikthen vëmendjen te përdorimi i tokave në këtë pjesë të territorit të Fierit.
Vitet e fundit, në zonat përreth janë zhvilluar projekte private për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, me instalimin e paneleve diellore në sipërfaqe të mëdha toke.
Për këtë arsye, një prej mundësive që ngrihet është edhe përdorimi i sipërfaqeve të reja për projekte të ngjashme, megjithëse aktiviteti konkret do të përcaktohet në bazë të ofertave dhe kushteve të procedurës./Syri.net

