Gazetari Flogert Muça ka komentuar në emisionin "Now" në Euronews Albania situatën e krijuar rreth drejtimit të Bashkisë së Tiranës. Sipas Muçës, rikthimi i Erion Veliajt në drejtimin e bashkisë, edhe nga burgu, vjen pasi puna e zëvendëses së tij Anuela Ristani nuk ka bindur askënd, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.
"Me zonjën në fjalë të gjithë ishin të pakënaqur, edhe Rama. Kështu që nëse fjala është për këtë lloj menaxhimi, më mirë ta bëjë ai nga burgu", u shpreh Muça.
Ai analizoi se vendimi i Ramës lidhet edhe me krizat e shumta të komunikimit me të cilat përballet qeveria, nga protestat e opozitës deri te hetimet e SPAK-ut.
"Mendoj se Rama duke pasur 1 milion kriza komunikimi, siç ka protesta nga njëra anë, SPAK-u me hetime nga ana tjetër, ka thënë më mirë 'çfarë më duhet edhe një përplasje me Erion Veliajn'. Po ta mendosh pa emocion fare, Veliaj është i zgjedhur nga qytetarët e Tiranës, mbi të cilin rëndojnë disa akuza", tha gazetari.
Muça shtoi se ndryshe nga ministrat që emërohen dhe shkarkohen nga kryeministri, rasti i kryebashkiakut është i ndryshëm pasi ai është produkt i votës.
"Rama mund të bëjë ndaj ministrave të tij, mund t'i emërojë ose shkarkojë. Rama ka zgjedhje pas disa kohësh dhe i duhen aleatë dhe jo armiq. Kjo është një 'shkelje syri' dhe armët janë ulur. Kjo është një sjellje që të relaksojë të gjithë ata që mendojnë se 'Edi Rama po ia bën", përfundoi Flogert Muça.
