Reforma territoriale, Mazniku në Vizion Plus: Asnjë zyrë nuk shkrihet, shërbimet mbeten pranë qytetarëve!

Reforma territoriale vijon të ngjallë debate, veçanërisht në qytetet e vogla që janë përfshirë në propozimin për bashkimin e bashkive.
Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale Arbjan Mazniku, në një lidhje të drejtpërdejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, sqaron se shërbimet do të vijojnë të ofrohen pranë qytetarëve.
Mazniku shpjegon edhe arsyet që kanë çuar në përzgjedhjen e bashkive që do të bashkohen, si dhe mënyrën se si do të funksionojë struktura e re, përfaqësimi politik dhe ofrimi i shërbimeve.
Sipas Maznikut, bashkitë e vogla shpesh nuk kanë burimet njerëzore dhe financiare të nevojshme për të ushtruar të gjitha kompetencat që u jep ligji, ndaj krijimi i një “ekonomie shkalle”, sipas tij, do të mundësojë ofrimin e më shumë shërbimeve për qytetarët.
INTERVISTA E PLOTË:
Ky proces i bisedimeve tuaja me publikun kemi parë që është shoqëruar me polemika, sidomos në qendrat e vogla, në ato që pretendohet se mund të shkrihen. Çfarë reflektimi bëni ju ndaj kësaj atmosfere?
Mazniku: Së pari, reflektimi i parë është se asnjë bashki nuk shkrihet. Është shumë e rëndësishme që ky term, edhe nga pikëvështrimi i komunikimit publik, të jetë i qartë. Bashkitë bashkohen, integrohen në bashki më të mëdha, të cilat funksionojnë si një strukturë operacionale e përbashkët. Së dyti, ne kemi një koncept të ri. Në qoftë se deri tani bashkitë kishin dy nivele, bashkitë dhe njësitë administrative, me propozimin e ri që i është paraqitur parlamentit nga një grup deputetësh, ne kemi bashkitë, qytetet dhe njësitë administrative. Pra, në rastin e bashkimit të Elbasanit, në rastin e bashkimit të bashkisë së Elbasanit, asaj të Cërrikut dhe asaj të Belshit, këto bashki nuk do të kthehen në njësi administrative. Por ama do të kemi bashkinë e madhe të Elbasanit, e cila do të ketë tre qytete, qytetin e Elbasanit, qytetin e Cërrikut dhe qytetin e Belshit, dhe secili prej këtyre qyteteve do të ketë njësitë administrative respektive. Asnjë shërbim nuk largohet nga njerëzit. Zyra nuk lëviz. Zyra që sot është zyra e bashkisë do të qëndrojë aty si zyra e qytetit dhe do të ofrojë të gjitha shërbimet që sot ofrohen nga ai pikëvështrim. Ama një seri shërbimesh që sot nuk ofrohen dot, pasi bashkitë e vogla nuk kanë burimet njerëzore apo financiare për t’ia dalë mbanë e për t’i ofruar këto shërbime, do të përqendrohen në një strukturë të përbashkët. Gjithashtu, ne do të kemi mundësi të ruajmë përfaqësimin politik proporcional, pasi këshillat bashkiakë të bashkive të reja do të përbëhen në mënyrë proporcionale nga njerëz që vijnë nga qyteti i Elbasanit, Cërrikut apo Belshit në rastin konkret, por edhe në të gjitha rastet ku kemi një bashkim tjetër.
Përse hyn në procesin e transformimit një bashki që ka 25 apo 30.000 banorë, dhe të tjera që kanë më pak banorë mbeten të paprekura?
Mazniku: Së pari, ka të bëjë me funksionimin e bashkisë. Së dyti, ka të bëjë me afërsinë e një bashkie. Ka një histori bashkëpunimi të këtyre bashkive. Pra nuk është një bashkim organik rastësor. Elbasani, Cërriku dhe Belshi kanë funksionuar për shumë kohë si pjesë e një rrethi. Deri në vitin 2000 kanë qenë pjesë e të njëjtit rreth ku shumë nga shërbimet dhe funksionet kanë qenë të organizuara. Librazhdi me Përrenjasin kanë qenë pjesë e një rrethi. Lushnja me Divjakën kanë qenë pjesë e të njëjtit rreth, që do të thotë se kanë një histori bashkëpunimi të mëparshme, si funksionalisht, ashtu edhe historikisht e kulturisht. Ndaj disa nga treguesit kanë të bëjnë me grupin e njerëzve, disa me numrin e banorëve, disa me ekonominë që zhvillohet në territor, e disa me distancën nga ku lidhet. Ne i kemi parë të gjitha këto të integruara dhe kemi ardhur me këtë propozim, i cili puq në mënyrën më të mirë të mundshme funksionimin e bashkisë, ekonominë e atij territori dhe distancën e mundshme nga një qendër e cila është më e madhe e ka një masë urbane që funksionon si pika në të cilën mund të gravitojë i gjithë funksionimi i këtij territori.
Ju mendoni dhe më thatë që nuk është e vërtetë që shërbimet largohen nga qytetari në rastin kur bashkia bëhet më e madhe. Marrim një shembull konkret: Unë jam një qytetar apo fshatar i një qyteze më të vogël si Divjaka. Unë mendoj se e kisha më të lehtë të shkoja te bashkia e Divjakës për të pretenduar për një leje, për një ndërtim apo për një riparim të shtëpisë sime, se sa të shkoj deri në Lushnje.
Mazniku: Nuk do kesh nevojë fare të shkosh në Lushnje. Të gjitha shërbimet që ti sot i merr në bashkinë e Divjakës do kesh mundësi t’i marrësh njësoj në zyrën e qytetit të Divjakës. Por ama disa shërbime që nuk i merrje fare sot, do të bëhen. Pra, kur vjen puna për një shërbim që qytetari merr, qytetari për shumë shërbime nuk ka nevojë fare të shkojë në bashki. Por edhe nëse duhet të shkojë në bashki, do të shkojë sërish në zyrën e qytetit të tij. Ndërkohë që për ato çështje të cilat kanë të bëjnë me planifikimin urban, planifikimin financiar, projektet me Bashkimin Evropian, planifikimin e investimeve, planifikimin e infrastrukturës, që janë elementë të cilët nuk janë shërbime që u ofrohen drejtpërdrejt qytetarëve, por kanë të bëjnë me kapacitetin për të bërë planifikime në një territor më të madh të ekonomisë, infrastrukturës, urbanistikës e me radhë. Janë të gjitha shërbime të cilat është e nevojshme të kryhen në një territor më të rëndësishëm.
Ekspertët mendojnë se nuk është çështja te numri i bashkive në fund të fundit, por te kompetencat që kanë bashkitë, dhe përvoja e këtyre viteve ka treguar se shumë kompetenca nuk i kanë bashkitë. Çdo gjë është centralizuar në qendër.
Mazniku: Në fakt kjo është e pavërtetë. Së pari, kompetencat lidhen ngushtësisht me territorin. Një bashkie të vogël ti mund t’i japësh me ligj kompetencën e së drejtës për të bërë planin urban të saj, siç është sot. Por kompetenca me ligj nuk gjeneron dot arkitekt në bashkinë e Këlcyrës. Ti mund t’i japësh një bashkie të drejtën për të bërë transportin publik të një territori të caktuar, por ti nuk i jep dot me ligj një bashkie kapacitetin për të menaxhuar një linjë të transportit publik e cila kërkon disa inxhinierë të caktuar dhe një planifikim të caktuar. Ti mund t’u japësh me ligj bashkisë kompetencën për të ofruar shërbimet sociale në territor, që e kanë sot bashkitë, por ama ti nuk i jep dot me ligj punonjësit socialë që planifikojnë shërbimet sociale dhe mundësitë që ta ofrojnë këtë shërbim në territor. Sot ne kemi pjesën më të madhe të bashkive të vogla të cilat ofrojnë 11, 12 apo 13 shërbime prej 34 shërbimeve që ligji parashikon që ato duhet të japin. Që do të thotë se funksionet janë gjithashtu të lidhura me madhësinë dhe mundësinë e ekonomisë së shkallës. Pikërisht që ne të kemi mundësi t’u japim më shumë funksione bashkive, së pari të plotësojmë gjithë gamën e funksioneve që sot bashkitë kanë, dhe së dyti të kemi mundësi të flasim për funksione të tjera tek bashkitë, është e rëndësishme krijimi i ekonomisë së shkallës. Për të kryer një funksion, bashkitë kanë nevojë për dy elementë thelbësorë. Së pari, për njerëz të aftë për ta zbatuar atë funksion. Dhe së dyti, për financat e nevojshme për të pasur mundësi për të krijuar ekonominë e nevojshme të shkallës që ai shërbim të ofrohet.
/vizionplus.tv




