Policia greke ka arrestuar tre persona, dy shqiptarë dhe një grek, të dyshuar për një sulm të dhunshëm ndaj një shtetasi indian në qytetin e Thivës.
Sipas mediave lokale, ngjarja ka ndodhur në orët e para të së shtunës, rreth orës 06:00, në rrugën Dirkis. Dyshohet se tre të arrestuarit kanë sulmuar fizikisht burrin indian, duke e goditur në mënyrë të përsëritur.
Në përpjekje për t’u larguar nga agresorët, viktima ka vrapuar në drejtim të rrugës qendrore për këmbësorë të Thivës. Megjithatë, sipas dyshimeve të policisë, tre personat e kanë ndjekur dhe kanë vijuar ta dhunojnë edhe pasi ai ishte larguar nga vendi ku nisi sulmi.
Policia greke ka ndërhyrë pas incidentit dhe ka bërë të mundur arrestimin e dy shtetasve me origjinë shqiptare dhe një shtetasi grek. Rrethanat e plota të ngjarjes dhe motivet që çuan në sulm vijojnë të hetohen nga autoritetet greke.

