Gazetari Artan Hoxha ka komentuar në Syri TV përgjimet e reja të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, duke thënë se kjo intervistë pritej me shumë kureshtje pasi katër intervistat e para të tij tashmë janë konfirmuar nga hetimet. Sipas Hoxhës, gjithçka që në fillim u komentua si pa prova, sot është provuar dhe është kthyer në vepra penale konkrete.
"Çdo gjë që u tha në fillim që shiko se aty s'kish shumë prova, tashmë janë të provuara dhe të kthyera në vepra penale, në hetime konkrete. Duan apo s'duan shkuan fiks tek ato që tha Arben Ahmetaj", u shpreh Hoxha.
Ai tha se zinxhiri i ngjarjeve ka shkuar fiks siç e kishte paralajmëruar Ahmetaj, duke përfshirë edhe arrestimin e fundit.
"Përfundoi dhe i fundit tek arrestimi i Ergys Agasit, fiks siç e kishte paraqitur zoti Ahmetaj, pra si koordinator i krimit të cilit iu dha një imunitet dhe në momentin që iu hoq imuniteti, pamë se si e dorëzuan atje, një skenë qesharake", tha Hoxha.
Duke u ndalur te denoncimet e reja, Hoxha tha se dy prej tyre i ka ndjekur prej kohësh, veçanërisht çështjen e Delvina Gas, që sipas tij është fusha gazmbajtëse më e madhe në kontinentin europian për nga rezervat.
"Është një histori që ka bërë shumë përshtypje se është fusha gazmbajtëse më e madhe në kontinentin europian sot. Ajo është me rezervat që ka poshtë, fusha më e madhe gazmbajtëse në kontinentin europian", theksoi ai.
Hoxha shpjegoi skemën e aksioneve ku sipas tij, 90% e aksioneve u morën nga Sokol Meqemja dhe 10% mbetën te dy shtetas ukrainas, ndërsa përgjimi lidhet pikërisht me pretendimin se do t'i vidhej prona një pronari shqiptar duke përdorur emrin e kryeministrit Rama.
"Pra, për ta bërë të qartë për publikun, përgjimi ka të bëjë pikërisht me këtë, që do t'i vidhnin një pronari shqiptar duke përdorur Ramën. "Sa të kthehet, thoshte, e rregullon këtë punë'. Dhe këtu pastaj është folur dhe për modelin 'Kajo'", deklaroi Hoxha.
