Kryetari i Grupit të Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me incidentin e ndodhur ditën e sotme pranë një shkolle në Tiranë, ku efektivët e policisë ndaluan një person të skeduar më herët për aktivitet kriminal në shpërndarjen e lëndëve narkotike. Balla tha se efektivët kanë respektuar perimetrin e sigurisë në shkolla dhe se kjo është detyra e tyre, të mbrojnë qytetarët dhe vëmendje të shtuar ndaj nxënësve të shkollave.
Sipas Ballës, perimetri i sigurisë në shkolla duhet të mbetet i paprekshëm dhe respektimi i tyre është domosdoshmëri.
"Policia e Shtetit ka bërë detyrën sot pranë perimetrit të sigurisë së një shkolle këtu në Tiranë, duke ndaluar një individ të skeduar për aktivitet kriminal në shpërndarje lëndësh narkotike. Gjatë ndalimit ky individ paska sharë dhe fyer punonjësin e policisë. Nuk di asnjë vend tjetër europian që Policia nuk do vepronte njëlloj. Prandaj mjaft sulmuat Policinë.
E dyta këto sorra nuk duhet të guxojnë të shkelin perimetrin e sigurisë së shkollave! Ta gjenë vend tjetër për zgjidhjen e dështimit të palo protestës." shkruan Balla.
