Autore: Blendina Veliqi
Rasti kundër administrimit të drejtësisë, të akuzuarit nuk deshën të flasin në fund të deklaratave përmbyllëse
Në rastin për pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka përfunduar paraqitja e deklaratave përfundimtare.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Hajredin Kuçi nuk deshën që të marrin fjalën në fund të këtij procesi.
Gjatë fundit të seancës, avokati i Hajredin Kuçit, Alexander Admiral tha se Prokuroria foli disa orë për të argumentuar rastin e tyre por që sipas tij, asnjë fjalë nuk e folën për Kuçin.
“Ata folën për Fadil Fazliun dhe djalin e tij. Për Smakajn, për kompjuterin e tij. Folën për Zyrapin dhe thirrjet telefonike. Folën për dokumentin Smakaj.... rreth 11 versione elektronike për regjistrat e printimit. Për sa i përket temës së Kucit, asgjë!”, tha ai.
Ai tha se edhe në dokumentet e Prokurorisë nuk trajtohet asnjë fakt për Kuçin. Sipas tij, nuk u vërtetua se Kuçi ka kontaktuar ndonjë dëshmitarë.
“Z. Kuçi nuk u mor kurrë në pyetje. Asnjë pyetje nuk iu bë atij për synimin dhe qëllimin e tij. Asnjëherë për gjatë këtyre dy viteve. Asnjë shënim nuk u gjetë, asnjë dëshmitar nuk u kontaktua, asnjë mesazh nuk u dërgua, asnjë takim nuk u bë”, tha ai.
Ngjashëm si në parashtrimet e tij të mëparshme, edhe këtë herë, Admiral kërkoi lirimin e klientit të tij.
Avokati: Vetëm pse Fazliu u takua me Remin, s’mjafton për ngritje të akuzave për pengim të drejtësisë
Avokati i Fadil Fazliut, David Young, tha se Prokuroria duhet të vërtetojë se veprimet e klientit të tij dhe të akuzuarve të tjerë kanë qenë më shumë se vetëm akte përgatitore.
Sipas Young, vetëm pse Fazliu ka marrë pjesë në dy takime me dëshmitarin Rrustem Mustafa (Remi) nuk mjafton për të ngre akuzua të tentimit të pengimit të drejtësisë.
Young tha se Prokuroria nuk e ka thirrur as Rrustem Mustafën që të dëshmojë se çfarë ka ndodhur në këtë takim. Po ashtu, sipas tij, nuk është thirrur as personeli i kafenesë ku ka ndodhur takimi si dhe nuk është thirrur as ndonjë klient që ka qenë aty i pranishëm.
“Pra, ne nuk e dimë se cila ka qenë përmbajtja e takimeve”, tha Young.
Rrjedhimisht, si me 11 shtator 2026 gjatë deklaratave përmbyllëse, edhe sot, Young kërkoi lirimin e Fadil Fazliut.
“Ne, parashtrojmë se veprimet që mund të vërtetohen janë tërësisht të pamjaftueshme për të vërtetuar provat për dy akuzat që janë ngritur kundër z.Fazliu. për këto arsye, ne parashtrojmë se verdikti i saktë, i duhur janë vendimet e pafajësisë së z.Fazliu për të dy akuzat”, tha Young.
Avokati i Kilajt: S’ka pasur asnjë tentativë për të ndikuar te dëshmitarët
Joe Holmes, i cili përfaqëson Isni Kilajn në rastin në të cilin akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, tha se është e rëndësishme të provohet se pengimi ka ndodhur në realitet.
Ai tha se termi “tentativë” jep shumë nuanca në vetvete të veprës bazë.
“Është e rëndësishme që të theksohet se duhet provë se pengimi ka ndodhur në realitet. Pra, pasoja duhet të vërtetohet dhe nuk është ky rasti i veprës penale që është shqyrtuar në maj, ndërkohë vepra penale duhet që të realizohet, pra vepra, sepse tentativa në vetvete jep shumë nuanca të veprës bazë.”
Ai tha se, si tentativë, vepra penale është e paplotë dhe për këtë arsye duhet të merret parasysh vepra ose akti real i pengimit.
“Kemi të bëjmë me një vepër penale, thelbi i të cilës është ndalimi i akteve të cilat synojnë që të pengojnë drejtësinë dhe që nuk pengojnë realisht drejtësinë. Por, ndërkohë, nuk kemi asnjë përgjigje nga Prokuroria. Prokuroria nuk iu ka dhënë asnjë precedent lidhur me lidhjen e dy teorive të papërmbushura për një akuzë”, tha ai.
Avokati tha se nuk ka pasur asnjë lloj tentative për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare nga ana e Kilajt.
“Çfarë ndodh kur vepra penale ka mbetur në tentativë; këtu është pikërisht absurditeti i Prokurorisë. Në rastet penale kur veprat e tentativës janë pjesë përbërëse e fazës së ekzekutimit të veprës penale bazë, atëherë kjo pyetje nuk do të duhej të ishte ngritur fare, sepse synimi kishte me qenë ekzekutimi apo zbatimi i veprës penale, por në këtë rast nuk ka pasur asnjë lloj tentative. Asgjë. Ka pasur një muaj pa aktivitet fare që ne zbuluam më vonë që Prokuroria ka filluar që të shpikë terminologji të re sa i takon fazës së zbatimit të veprës penale”, tha ai.
Sipas avokatit, Kilaj nuk ka kontaktuar asnjë prej dëshmitarëve në çështjen 6 dhe se Prokuroria do të duhet të tregojë se ku është rreziku këtu për pengim të drejtësisë.
“Prokuroria nuk e ka trajtuar aspak thelbin e argumenteve kundër z. Kilaj. Prokuroria nuk ia ka dalë të na bindë për faktin se mungesa e plotë e veprimeve prej tij pas 6 tetorit është prova më e fuqishme që tregon mungesën e synimit nga ana e z. Kilaj. E vetmja gjë që mund të thotë Prokuroria është se këto janë fjalë boshe të mbrojtjes. Ata nuk mund ta trajtojnë thelbin, sepse nuk mundën. Nuk kanë përgjigje për këtë aspekt të rëndësishëm të mbrojtjes së z. Kilaj. Prandaj, i vetmi verdikt në këtë rast do të ishte verdikti i pafajësisë”, Ian Edwards, avokat i Isni Kilajt.
Avokati: Smakaj të shpallet i pafajshëm, provat anonime s’mund të ndikojnë në vendimin për fajësi
Jonathan Elystan Rees i cili përfaqëson Bashkim Smakajn në rastin në të cilin së bashku me Hashim Thaçin, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin tha se provat anonime nuk duhet të kenë vlerë provuese dhe nuk duhet të ndikojnë në vendimin për fajësinë.
Rees tha se e mbështetë deklarimin e avokates së Hashim Thaçit sa i përket transkripteve.
Sipas Rees, Prokuroria mbështetët në fotografitë në qesen e provave por që në parashtrimet e saj, ajo ka bërë redaktimin e emrit të autorit të fotografive.
“U bë një përpjekje për të trajtuar këtë pyetje në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe filloi nga përpjekja për të paraqitur prova të tjera në këtë fazë të vonë të procesit gjyqësor edhe pse procesi ishte deklaruar i përfunduar”, tha ai
Rees tha se me të drejtë u vendos që të refuzohet nga gjyqtari. Ai shtoi “se kjo ishte një përpjekje për të ndrequr gabimet e Prokurorisë”.
“Dëshmitë anonime kanë peshë të zvogëluar dhe kjo buron nga kërkesa që nuk duhet të merret një vendim vendimtar fajësie mbi provat e kësaj natyre”, tha ai.
“Mund të quhen çfarëdo lloj dokumenti tjetër por nuk mund të quhen në asnjë mënyrë prova me vlerë provuese. Këto janë po aq provuese sa edhe transkriptet e Prokurorisë që përbën zëra apo emra të caktuar, apo shkrime se çfarë dëgjohet në incizim lidhur me tingujt jobverbal” tha ai.
Si rrjedhojë, ai tha se nuk duhet të iu jepet asnjë peshë dokumenteve të tilla dhe se Bashkim Smakaj duhet të shpallet i pafajshëm.
Avokatja e Thaçit: Kundërshtojmë të gjitha transkriptet, fajësia nuk mund të mbështetet në to
Avokatja Sophie Menegon e cila përfaqëson Hashim Thaçin në rastin kundër administrimit të drejtësisë në Gjykatën Speciale tha se arsyeja pse ata kanë kundërshtuar transkriptet në tërësi dhe jo pjesë të caktuara është për shkak se Prokuroria nuk e ka përmbushur barrën e provës.
Sipas Menegon, shpallja fajtor e Thaçit në këtë rast, nuk mund të mbështetet në këto transkripte.
“ZPS-ja nuk e ka përmbushur barrën e provës dhe privilegjin e kundërvetëinkriminimit”, tha Menegon
Sipas Menegon, Prokuroria e ka përgjegjësinë për të vërtetuar saktësinë dhe mbështetëshmerinë e të gjitha provave.
“Ne, kundërshtojmë transkriptet në tërësinë e tyre dhe nuk kundërshtojmë fjali të caktuara të transkripteve. Nuk pritet që tani, mbrojtja të ketë barrën e provës ose të akuzuarit të kenë barrën e provës për të vërtetuar pasaktësinë”, ka thënë ajo.
Ajo tha se këto transkripte nuk duhet të pranohen përveç në rastet që janë të mbështetura në ekzaminime shkencore dhe të mbështetura nga dëshmitarë të cilët kanë mundur të iu nënshtrohen kundër-pyetjeve.
“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata”, ka thënë Menegon.
Rasti kundër administrimit të drejtësisë, Prokuroria: Mbrojtja po largohet nga provat dhe ligji
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë po vazhdojnë deklaratat përmbyllëse në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Palët janë duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit. Prokurori Matt Halling, tha se kjo çështje ka të bëjë me pjesëmarrje të një grupi personash të cilët nga veprimet e përbashkëta tentojnë të pengojnë një person zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.
Sipas tij, mbrojtja po largohet nga ligji sa i përket parashtrimeve të argumenteve të veta.
“Mbrojtja po turret vrap nga ligji, po largohet nga ligji. Mbrojtja po largohet sa më shumë që të jetë e mundur nga provat”, tha ai.
Ai tha se tentimi për të kryer pengimin e drejtësisë pashmangshëm do qonte në kryerjen e tij.
“Është e pashmangshme që kryerja e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë kishte mundësinë të qonte në pengimin e personave zyrtarë në përfaqësimin e dëshmitarëve në këtë çështje penale”, tha Halling.
“Ajo se çfarë po bëjnë ekipet e mbrojtjes sa i takon ligjit është shumë e qartë. Ata nuk e marrin parasysh fare jurisprudencën e çështjes 7 duke e konsideruar atë si të paarsyeshme ose të paqartë edhe kur kjo jurisprudencë lidhet me aspekte ligjore të kësaj çështje. Ata i referohen kodit penal të Kosovës, kërkesave të këtij kodi dhe kufizimeve që ligjvënësi nuk i ka shkruar fare”, tha ai.
Ai tha se mbrojta po merr rrethana të caktuara të çështjeve në të shkuarën dhe i paraqet ato sikur i përmbajnë kufijtë e dispozitave të caktuara ligjore.
“Mbrojtja nuk pranon se cila është arsyeja që ata nuk gjejnë dot një çështje në Kosovë që ka të bëjë me fakte të ngjashme me çështjen që po diskutojmë sot. Arsyeja për këtë është se nuk ka pasur asnjëherë një çështje të tillë”, tha ai.