Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) shprehu dje “shqetësim të thellë” për sulmet ushtarake që kanë goditur zonat e banuara dendur në të gjithë Rripin e Gazës, duke shkaktuar viktima dhe plagosje mes civilëve.
“Ne përsërisim se civilët dhe infrastruktura civile, përfshirë humanitarët dhe furnizimet dhe pronat e tyre, duhet të mbrohen gjithmonë”, u tha gazetarëve zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq.
Po ashtu ai bëri të ditur se gjatë javës së kaluar nëntë fëmijë u vranë ose humbën jetën si pasojë e plagëve të marra. Mes viktimave ishin edhe dy motra, të moshës 6 dhe 12 vjeç, si dhe katër fëmijë të tjerë të moshave nga 3 deri në 14 vjeç.
Sipas Haq, nga të shtënat me armë zjarri u vranë gjithashtu një grua shtatzënë dhe foshnja e saj e palindur, ndërsa të paktën 13 fëmijë të tjerë u plagosën.
Gjithashtu ai deklaroi se partnerët e sigurisë raportuan sulme të vazhdueshme në të gjithë enklavën gjatë fundjavës, veçanërisht në zonat në perëndim të "Vijës së Verdhë", duke përfshirë sulme ajrore, granatime artilerie, zjarr detar dhe armë zjarri.
