Seanca në Gjykatën e Lartë/ Shqyrtohet rigjykimi i masës së sigurisë ndaj Erjon Veliajt

Seanca në Gjykatën e Lartë/ Shqyrtohet rigjykimi i masës së sigurisë ndaj Erjon Veliajt

08:08, 15/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjykata e Lartë shqyrton sot rigjykimin e çështjes, që lidhet me masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas njoftimit, çështja do të shqyrtohet në dhomë këshillimi, në orën 09:30.

Gjykata Kushtetuese ia riktheu Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës së masës së Veliajt, me argumentin se duhet të arsyetohet përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër, përveç arrestit në burg.

Sytë e opinionit publik janë kthyer nga seanca e sotme të 15 shtatorit në Gjykatën e Lartë, e cila pritet të jetë një moment kyç në përplasjen e drejtësisë me korrupsionin. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili përballet me 13 akuza të rënda penale dhe prej shkurtit të vitit 2025 qëndron në qelitë e burgut të Durrësit, kërkon lirim nga masa e sigurisë dhe rikthim në zyrë.

Ai akuzohet zyrtarisht për 9 episode të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të zgjedhur”, për “pastrim të produkteve të veprës penale-pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.

Kërkesa vjen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që e njohu atë si kryetar bashkie në detyrë. 

Ndërsa mediat pranë pushtetit raportojnë se Gjykata Kushtetuese ka hapur rrugën për lirimin e tij, ekspertët sqarojnë se Gjykata Kushtetuese thjesht ka kërkuar arsyetim shtesë nga gjyqësori se përse një zyrtar në detyrë duhet të qëndrojë në burg. Nga ana tjetër, mbetet shqetësim fakti se rikthimi i tij në detyrë mund të çojë në përsëritjen e veprës penale, dëmtimin e provave apo intimidimin e dëshmitarëve, për më tepër që Veliaj refuzon të paraqitet në seancat gjyqësore prej 14 muajsh që nga dorëzimi i dosjes në GJKKO.

Lidhur me seancën e sotme po qarkullojnë pikëpyetje të mëdha, pasi burime për mediat pretendojnë se gjyqi do të shtyhet për në datën 29 shtator. Ky informacion i pretenduar nga rrethi i tij ngre dyshime të forta: nëse seanca vërtet shtyhet siç thuhet, mbetet e paqartë se si i pandehuri e di paraprakisht vendimin e trupës gjykuese, gjë që do të ngrinte hije dyshimi për komunikime të jashtëligjshme me anëtarë të Gjykatës së Lartë. Mbetet për t'u parë nëse ky është thjesht një truk propagande apo nëse seanca do të zhvillohet rregullisht, duke vënë në provë integritetin e sistemit të drejtësisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco