Ekspozita “Liri në hapësirë”: Kur arti del nga korniza

15 Shtator 2026, 14:01Kulturë TEMA
Ekspozita “Liri në hapësirë”: Kur arti del nga

Sa e lirë mund të jetë vepra përballë kufirit? Blerina Bezo sjell pikturën, grafikën dhe skulpturën në dialog me natyrën, dritën, muzikën dhe publikun. “Liri në hapësirë” është edhe një reflektim mbi rolin e artistit. Artisti nuk krijon jashtë realitetit, por brenda tij, duke kërkuar vazhdimisht hapësira të reja për ta transformuar.

Piktura del nga muri. Skulptura nuk qëndron mbi një piedestal të izoluar. Grafika nuk shihet vetëm si sipërfaqe e kornizuar. Ato vendosen në një territor ku ambienti ndërhyn vazhdimisht mbi to. Drita ndryshon tonalitetet. Hijet krijojnë kompozime të përkohshme. Degët, bari dhe strukturat e drurit hyjnë në dialog me linjën, ngjyrën dhe materialin. Muzika krijon një tjetër shtresë perceptimi.

Nga kjo ide lindi ekspozita “Liri në hapësirë”, e piktores dhe skulptores Blerina Bezo e çelur më 2 shtator 2026, në kuadër të edicionit të shtatë të “Festës së Këngës Shqiptare” në mjediset e Flumen Park, në fshatin Ibë të Tiranës.

Një mbrëmje ku muzika dhe arti pamor nuk u paraqitën si dy realitete të ndara. Pikturat, grafikat dhe skulpturat u vendosën në hapësirën e gjelbër, mes pemëve dhe dritës së mbrëmjes, duke krijuar një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ambientin dhe me publikun.

Titulli “Liri në hapësirë” lidhet me një pyetje që e ka shoqëruar vazhdimisht mendimin artistik: sa e lirë mund të jetë vepra përballë kufirit?

“Në mendimin e Sigmund Freud-it, liria individuale shfaqet gjithmonë në një marrëdhënie tensioni me rendin që e rrethon njeriun. Qytetërimi krijon strukturë dhe siguri, por në të njëjtën kohë kërkon kufizimin e impulseve individuale. Për Freud-in, dëshira për liri mbetet një forcë e vazhdueshme që përballet me kërkesat e bashkësisë”- shprehet artistja, ndërsa shton se tensionin në këtë ekspozitë e ka kërkuar jo përmes ilustrimit të drejtpërdrejtë të një teorie, por përmes marrëdhënies së veprës me hapësirën.

Kështu, hapësira nuk është më sfond. Ajo bëhet një element aktiv i veprës.

Në punimet grafike, figura njerëzore mbetet e lidhur me një gjuhë më të përmbajtur, ku vija dhe kontrasti ndërtojnë tensionin psikologjik. Përballë tyre, pikturat abstrakte çlirojnë sipërfaqen përmes ngjyrës, gjurmës dhe materialitetit. Ndërsa skulpturat, të vendosura drejtpërdrejt pranë trungut të pemës, krijojnë një raport tjetër: atë mes materies së përpunuar nga njeriu dhe formës organike të natyrës.

Ky ndryshim i gjuhëve pamore nuk është rastësor.

“Për mua, liria nuk do të thotë mungesë strukture. Përkundrazi, ajo bëhet e dukshme pikërisht kur struktura ekziston dhe artisti negocion me të. Vija ka kufijtë e vet. Telajo ka dimensionet e saj. Materia ka rezistencën e saj. Hapësira ka arkitekturën e saj”,- zbulon Bezo, e cila është njëherësh pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës dhe studiuese fushën e Arteve Pamore dhe Skenike.

Studimet e saj kërkimore zbulojnë shtresëzimet historike të skenografisë, ndërthurjen e traditës me gjuhën bashkëkohore dhe mënyrën se si arti formëson ndjeshmërinë estetike të brezave të rinj.

Për artisten, krijimi fillon pikërisht në momentin kur këto kufij nuk pranohen si përfundimtarë.

Në këtë kuptim, “Liri në hapësirë” është edhe një reflektim mbi rolin e artistit. Artisti nuk krijon jashtë realitetit, por brenda tij, duke kërkuar vazhdimisht hapësira të reja për ta transformuar.

“Vendosja e ekspozitës në natyrë më lejoi të hiqja një nga kufijtë më tradicionalë të ekspozimit: distancën midis veprës dhe publikut. Vizitori nuk hynte në një sallë për të parë artin. Ai ecte mes veprave. I afrohej një pikture, largohej prej saj, kalonte pranë një skulpture ndërsa dëgjonte muzikën. Përjetimi nuk kishte një itinerar të detyruar. Në këtë mënyrë, edhe publiku fitonte lirinë e vet. Jo lirinë për të “kuptuar saktë” veprën, por lirinë për ta përjetuar atë”, shton.  Blegina Bezo i përket asaj kategorie krijuesish të cilët mendojnë se një vepër arti nuk duhet të mbyllet plotësisht në shpjegimin e autorit. Ajo duhet të lërë një hapësirë ku shikuesi mund të hyjë me kujtesën, përvojën dhe ndjeshmërinë e tij.

Prandaj “Liri në hapësirë” nuk është vetëm titulli i një ekspozite. Është një mënyrë për ta menduar marrëdhënien mes veprës, artistit dhe botës. Liria nuk është zbrazëti, por një hapësirë e fituar mes kufijve. Dhe ndoshta arti fillon pikërisht aty. /MAPO/

Lini një Përgjigje