
Lulzim Caka, njëri prej shqiptarëve të arrestuar pak ditë më parë për 100 kilogramë kokainë të fshehur në kërcejtë e trëndafilave, ka folur nga burgu grek përmes një videoje duke pretenduar se është i pafajshëm.
Caka i cili njihet nga autoritetet edhe me emrin John Franko dhe nofkën 'i tmerrshmi i Beratit', u arrestua nga autoritetet greke si pjesëtar i grupit që kishte trafikuar kokainën nga Kolumbia në Greqi. Teksa shfaqet krah avokatit të tij, ai pretendon se akuzat janë të pavërteta dhe se është i pafajshëm.
“Asgjë nuk ekziston nga këto që thonë. Unë jam i pafajshëm. E drejta do dalë shumë shpejt. Unë nuk kam lidhje me ato që thonë televizionet, njerëzit dhe policia. Unë jam i pafajshëm"- shprehet ai në video.
Megjithatë, Caka njihet si person me precedent penalë edhe në Shqipëri ku ka vuajtur 16 vite burg pas një dënimi me 25 vite për disa vepra penale. Ai u lirua në vitin 2019 mes debateve mbi mënyrën e ekzekutimit të vendimit. Versus.al

