Shqiptarët dhe katër kompani shqiptare në qendër të hetimit për shfrytëzimin e fuqisë punëtore në Itali

Shqiptarët dhe katër kompani shqiptare në qendër të hetimit për shfrytëzimin e fuqisë punëtore në Itali

09:28, 15/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Hetimi i Guardia di Finanza në Chieti zbulon një skemë të dyshuar transnacionale në sektorin e transportit. Në fokus: punëtorë kryesisht shqiptarë, katër kompani shqiptare dhe kompani italiane që dyshohet se përfitonin nga ulja e kostove të punës.
 

Nga Alba Kepi

Një hetim kompleks i Guardia di Finanza të Chietit, i zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Republikës së Chietit, ka nxjerrë në pah një skemë të dyshuar transnacionale të lidhur me punësimin e paligjshëm dhe shfrytëzimin e fuqisë punëtore në sektorin e trasporti të mallrave.

Në qendër të hetimit janë 18 kompani, prej të cilave 4 janë kompani të së drejtës së huaj, ndërsa 5 operojnë në territorin e Chietit. Në kuadër të hetimit janë kallëzuar 14 persona për vepra të ndryshme penale, ndërsa janë identifikuar 95 pozicione pune të padeklaruara.

Një element i veçantë i kësaj dosjeje është prania e një numri të konsiderueshëm punëtorësh shqiptarë. Sipas Guardia di Finanza, dyshimet fillestare lidhen me përdorimin e parregullt të fuqisë punëtore nga vende jashtë Bashkimit Evropian, kryesisht shtetas shqiptarë.

Hetimi nisi nga kontrollet ekonomiko-financiare të kryera nga Guardia di Finanza, gjatë të cilave u evidentuan dyshime për përdorim të parregullt të punëtorëve shqiptarë nga disa kompani të zonës së Chietit.

Katër kompanitë shqiptare në qendër të hetimit
Sipas Guardia di Finanza, kompanitë shqiptare që figuronin si punëdhënëse të punëtorëve ishin në fakt shoqëri “letter box”, pra kompani që, sipas tezës së hetimit, nuk dispononin një strukturë reale operative. Sipas autoriteteve, këto kompani do të kishin shërbyer si mbulesë juridike për rekrutimin dhe punësimin formal të punëtorëve, kryesisht shqiptarë.

Në dokumente, punëtorët rezultonin të lidhur me kompanitë e huaja. Në praktikë, sipas hetimit, ata punonin për kompanitë italiane.
Kjo mospërputhje mes dokumentacionit dhe realitetit të punës ka çuar hetuesit drejt dyshimit për furnizim të paligjshëm dhe mashtrues me fuqi punëtore.

Fakti që punëtorët ishin kryesisht shqiptarë është një nga elementet më të rëndësishme të hetimit. Në qendër të mekanizmit ishte përdorimi i “distacco internazionale”, ose transferimit të përkohshëm ndërkombëtar të punonjësve.

Kjo procedurë është e ligjshme kur plotësohen kushtet e përcaktuara nga ligji. Një kompani e huaj mund të dërgojë përkohësisht punonjësit e saj për të kryer një aktivitet në një kompani tjetër. Punëtorëve duhet t’u garantohen pagat dhe të drejtat që parashikon legjislacioni italian.

Sipas hetuesve, problemi në rastin e Chietit qëndron pikërisht këtu: kontratat e përdorura dyshohet se nuk pasqyronin marrëdhënien reale të punës, e punëtorët ishin pjesë e mekanizmit të punësimit që po hetohet. Dyshimet penale lidhen me personat dhe kompanitë që organizonin dhe përfitonin nga sistemi.

Nëse marrëdhëniet e punës ishin në të vërtetë ato që përshkruajnë hetuesit, kompanitë italiane konsiderohen nga hetimi si punëdhënësit realë dhe ekskluzivë të punëtorëve.

Për këtë arsye, 95 pozicione pune janë konsideruar të padeklaruara dhe punëtorët janë cilësuar në kuadër të hetimit si të punësuar “në të zezë”.

Hetimi shkon edhe në Shqipëri

Pas dyshimeve fillestare, u aktivizuan kanalet e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të asistencës së ndërsjellë administrative në fushën fiskale.

Hetimi u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimit (GDT) në Shqipëri.

Në qendër të verifikimeve ishte pikërisht fakti nëse këto kompani kishin një aktivitet real ekonomik apo nëse, siç dyshohet nga hetuesit, shërbenin vetëm si kompani formale për të mbuluar marrëdhëniet reale të punës.

Rreth 6 milionë euro evazion i dyshuar

Sipas bilancit të Guardia di Finanza, hetimi ka nxjerrë në pah një dëm të konsiderueshëm financiar. Autoritetet raportojnë; 18 kompani të përfshira në hetim; 4 kompani të së drejtës së huaj; 5 kompani që operojnë në zonën e Chietit; 14 persona të kallëzuar; 95 pozicione pune të padeklaruara; rreth 6 milionë euro evazion fiskal të dyshuar, përfshirë detyrimet IRES, IRPEF, IVA dhe IRAP; mbi 3.5 milionë euro fatura për operacione të dyshuara si inekzistente; mbi 1.2 milionë euro evazion të dyshuar në kontribute previdenciale dhe asistenciale.

Guardia di Finanza e përshkruan mekanizmin si “caporalato transnazionale", pra për një sistem të dyshuar të rekrutimit dhe shfrytëzimit të fuqisë punëtore përtej kufijve, ku përdorimi i kompanive ndërmjetëse mund të shërbejë për uljen e kostove të punës dhe shmangien e detyrimeve fiskale e kontributive.

Sipas autoriteteve, mekanizmi kishte nisur në Abruzzo, por kishte marrë një dimension më të gjerë kombëtar.

Ajo që mbetet për t’u zbardhur është se kush qëndron pas katër kompanive shqiptare, nëse ato kishin aktivitet real, përtej mashtrimit me punësimin e shqiptarëve dhe cili ishte roli i tyre në punësimin e tyre në Itali.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco