I dha timonin fëmijës 3-vjeçar, arrestohet babai në Australi, ministri del me deklaratë

Një baba është arrestuar në Perth të Australisë, pasi në internet u publikuan pamje shqetësuese ku ai i kishte dhënë timonin djalit të tij vetëm 3-vjeçar për të drejtuar makinën në një zonë të banuar.
Në video, fëmija shihet i ulur në prehrin e një burri, me duart mbi timon. Babai dëgjohet duke i thënë djalit të “nisë” dhe të “ngasë” makinën, ndërsa i jep vazhdimisht udhëzime për të mos u përplasur.
“Shiko ku po shkon. Mos u përplas. Shko drejt”, dëgjohet duke i thënë ai fëmijës gjatë videos. Më pas, burri vazhdon ta udhëzojë: “Shko drejt, drejt. Në trotuar, në trotuar”.
Pamjet vazhdojnë derisa automjeti ndalon pasi arrin pranë një shtegu. Në fund, burri dëgjohet të thotë: “Ia dolëm”. Policia e arrestoi babain të shtunën, ndërsa ai pritet të paraqitet para gjykatës më 2 tetor. Autoritetet e cilësuan incidentin si “thellësisht shqetësues”.
Ministri i Australisë Perëndimore, Matthew Swinbourn, tha se ishte i tronditur pasi pa videon. “Më ka zemëruar dhe kjo duhet dënuar në mënyrën më të ashpër. Nuk ka asnjë justifikim”, deklaroi ai, duke shtuar se në rast të një aksidenti, fëmija mund të kishte humbur jetën ose të kishte pësuar dëmtime të përhershme.
Ministri theksoi gjithashtu se Australia ka pasur një numër të madh viktimash në aksidentet rrugore dhe se mesazhi i autoriteteve është që siguria në rrugë është përgjegjësi e të gjithëve. Sipas tij, ajo që shihet në video është “thjesht e pakuptimtë”.




