Dosja “Revanshi”/ Nga Durim Bami te Aldo Avdylaj e Altin Morina, GJKKO shpall vendimin për 7 të pandehurit

50 vite burg për emra të njohur të botës së krimit! Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Posaçme për 7 të pandehurit e dosjes “Revanshi”, mes tyre edhe emra të njohur si “i forti i Niklës”, Durim Bami, nipi i Astrit Avdylajt, Aldo, si dhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina.
Të shtatë janë shpallur fajtorë për një sërë ngjarjesh kriminale të zbardhura nga SPAK, të lidhura me aktivitetin e 7 grupeve kriminale gjatë vitit 2020 në Lezhë, Durrës, Krujë, Tiranë, ejt.
Dënimin më të rëndë e mori Durim Bami. SPAK kërkoi 14 vite burg, ndërsa GJKKO, për shkak të gjykimit të shkurtuar, e dënoi me 10 vite e 8 muaj burg.
Bami u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka, si dhe për kultivim të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Por gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzën e tentativës për vrasjen e Tori Xheçukës dhe Erigers Mihasit, për të cilën ishte akuzuar nga SPAK.
Në bankën e të akuzuarve ishin edhe Jozi Kraja dhe Aldo Avdylaj, të cilët akuzoheshin se kishin siguruar kushtet dhe mjetet për eliminimin e Durim Bamit. Për secilin prej tyre, SPAK kishte kërkuar 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa GJKKO vendosi nga 4 vite e 8 muaj burg.
Në qeli do të mbetet edhe ish-polici Henerigert Mitri, i cili u dënua me 5 vite e 4 muaj burg, nga 6 vite që kishte kërkuar SPAK. Mitri u shpall fajtor për kultivim narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre.
Ndërsa ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, u dënua me 6 vite e 8 muaj burg, kundrejt 9 viteve të kërkuara nga SPAK. Morina u shpall fajtor për kultivim narkotikësh, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe mbajtje pa leje të armëve.




