Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe ka lënë në fuqi vendimin “arrest me burg”.
Çështja u shqyrtua në Dhomë Këshillimi nga Kolegji Penal, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila i kërkoi Gjykatës së Lartë të arsyetonte pretendimet e Veliajt për joproporcionalitetin e masës së sigurisë.
Kolegji Penal la në fuqi vendimin e 13 marsit 2025 të Apelit të Posaçëm, i cili kishte konfirmuar masën e ‘arrestit në burg’ të dhënë ndaj Veliajt nga GJKKO.
Gjykata e Lartë ka 60 ditë afat për të zbardhur vendimin, ku pritet të argumentojë edhe përse në rastin e Veliajt nuk është e përshtatshme një masë më e lehtë sigurie.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i mbledhur në datë 15 shtator 2026, në Dhomë Këshillimi, mori në shqyrtim dosjen penale me palë: Kërkues: Erion Veliaj, Palë e Interesuar: Prokuroria e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe objekt: Shfuqizimin e vendimeve nr. 7, dt. 09.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vleftesuar permes vendimit nr. 14, dt. 12.02.2025, te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 13, dt. 13.03.2025, te Gjykates se Posacme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2025-1153 (176), dt. 08.07.2025, te Kolegjit Penal te Gjykates se Larte. Shpenzimet gjyqesore ne ngarkim te subjektit te interesuar.
Pasi shqyrtoi çështjen, Kolegji, bazuar në nenin 441, pika 1, shkronja “e” të Kodit të Procedurës Penale, vendosi: Lënien në fuqi të Vendimit nr.13 (87-2025-85), datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”– thuhet në vendim.
Më herët, Gjykata e Lartë, në tetor 2025 dhe maj 2026, ka vendosur se Erion Veliaj duhet të qëndrojë në paraburgim, pasi mund të tjetërsojë provat e faktet dhe mund të përdorë pushtetin e tij për të ushtruar ndikim mbi dëshmitarët.
Gjykata Kushtetuese, e investuar nga avokatët e Veliaj, vendosi në Korrik 2026 që çështja e masës së sigurimit ndaj tij duhet të rishqyrtohej në Gjykatën e Lartë.
Në vendimin që ndau gjyqtarët kushtetuese, shumica prej tyre dha qëndrimin se “Gjykata e Lartë nuk kishte respektuar standardin kushtetues për arsyetimin e plotë të vendimit”.
Për gjyqtarët kushtetues, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë nuk kishte ezaruar të gjithë argumentat se përse Veliaj duhet të qëndronte në paraburgim. Një çështje teknikalitetesh proceduriale, të cilat tashmë u rimerën sërish në shqyrtim nga gjyqtarët e lartë.
Kujtojmë se Erion Veliaj ndodhet në qeli prej shkurtit të 2025-ës dhe ndaj tij ka nisur gjyqi i themelit. SPAK e akuzon Veliajn për 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg, por kryebashkiaku i ka mohuar.
Tashmë, mbrojtja e Veliajt pritet që të dërgojë dosjen në Strasburg, ndërsa kryebashkiaku po i firmos vendimet nga qelia pasi shkarkoi kryetaren e komanduar, Anuela Ristani.














