VIDEO+FOTO/ Dy shtete nuk ishin në luftë, por kufiri u bë front lufte për njeriun

15 Shtator 2026, 11:31Kulturë TEMA
VIDEO+FOTO/ Dy shtete nuk ishin në luftë, por kufiri u bë front

Të vrarë, të plagosur, të burgosur, të internuar e të zhdukur. Familje që për dekada nuk mundën të takoheshin. Kjo është historia njerëzore e kufirit Shqipëri–Kosovë/Jugosllavi që po vendoset sot në qendër të konferencës shkencore ndërkombëtare në Tiranë.

“Kufiri nuk ndau dy popuj, por shqiptarët në të dyja anët e tij”, është një nga mesazhet që përshkon konferencën, ku dokumentet arkivore po ballafaqohen me dëshmitë dhe historitë familjare.

Punimet u hapën nga Dr. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH-së, Prof. Dr. Naim Berisha, Këshilltar Shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, dhe Prof. Dr. Teuta Shala-Peli, Drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri”.

Përmasën njerëzore Dr. Gentiana Sula e solli edhe përmes një historie familjare: gjyshja e saj, Refika, e kishte motrën të martuar në Pejë. Edhe pse i ndante një distancë e vogël, ato u takuan vetëm një herë në disa dekada. Një histori që përfaqëson shumë familje shqiptare, për të cilat kufiri e ktheu takimin me të afërmit në privilegj dhe udhëtimin në objekt dyshimi.

Studiues nga Shqipëria dhe Kosova po ballafaqojnë dokumente arkivore, burime diplomatike dhe dëshmi personale për të dokumentuar jo vetëm mekanizmin politik të kufirit, por çfarë u ndodhi njerëzve që jetuan nën hijen e tij.

Në qendër mbetet edhe një pyetje ende e hapur: Kush ishin shqiptarët e vrarë, të plagosur, të arrestuar, të dënuar apo të zhdukur gjatë kalimit të kufirit dhe ku u varrosën?

Historia e kufirit nuk është vetëm histori shtetesh dhe regjimesh. Është histori njerëzish, familjesh të ndara dhe takimesh që nuk ndodhën. A.K./TemA

Lini një Përgjigje