Live Updates /

Gjykata e Lartë rrëzon Erion Veliajn, reagon Rama: Në burg pa prova për rrezikshmëri, rast unikal! Tirana mbeti përsëri pa kokë!

*Gjykata e Lartë vendosi sot lënien në fuqi të masës së ‘arrestit me burg’ për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili mbahet në paraburgim që prej shkurtit të vitit 2025. *Pas dhjetëra artikujve ku flitej për mundësinë e lirimit të Veliajt, pas disa orësh në Dhomën e Këshillimit, gjykata hodhi poshtë mundësinë e ndryshimit të masës së sigurisë pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar masën si “jo proporcionale”. *Gjatë kohës që gjyqtarët po merrnin në shqyrtim çështjen, jashtë godinës së gjykatës së Lartë pati protesta nga qytetarët të cilët kërkonin që Veliaj të mbetej në burg. Për vendimin e sotëm, reagoi dhe kryeministri Edi Rama i cili tha se lënia e kryetarit të bashkisë në burg dhe pse s’ka prova se është i rrezikshëm, është rast unikal në Evropë

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Gjykata e Lartë vendosi sot lënien në fuqi të masës së ‘arrestit me burg’ për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj i cili mbahet në paraburgim që prej shkurtit të vitit 2025. *Pas dhjetëra artikujve ku flitej për mundësinë e lirimit të Veliajt, pas disa orësh në Dhomën e Këshillimit, gjykata hodhi poshtë mundësinë e ndryshimit të masës së sigurisë pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e kishte cilësuar masën si “jo proporcionale”. *Gjatë kohës që gjyqtarët po merrnin në shqyrtim çështjen, jashtë godinës së gjykatës së Lartë pati protesta nga qytetarët të cilët kërkonin që Veliaj të mbetej në burg. Për vendimin e sotëm, reagoi dhe kryeministri Edi Rama i cili tha se lënia e kryetarit të bashkisë në burg dhe pse s’ka prova se është i rrezikshëm, është rast unikal në Evropë

5 Postime
1 ORE ME PARE

“Përsëri Tirana pa kokë”, Rama reagon pas vendimit për Erion Veliajn: Kalvari i kryebashkiakut është unikal në historinë e Europës

Gjykata e Lartë rrëzon Erion Veliajn, reagon Rama: Në burg pa

Kryeministri Edi Rama reagon pas vendimit të Gjykatës së lartë që la në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. 

Në mesazhin e tij, Rama thotë se ai nuk komenton vendimin e gjykatës, por kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike.

Sipas tij, nuk ka prova që vërtetojnë rrezikshmërinë ekstreme të Veliajt, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli.

"Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur: Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik", shkruan Rama.

Mesazhi i plotë

"Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!

Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nështrohem gjithnjë këtij rregulli - madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë. Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur: Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik./Versus.al

4 ORE ME PARE

Veliaj u la në burg, mbrojtja e kryebashkiakut për vendimin e Gjykatës së Lartë: Jashtëzakonisht shqetësues

Gjykata e Lartë rrëzon Erion Veliajn, reagon Rama: Në burg pa

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për lënien në burg të Erion Veliajt, ka reaguar avokati i kryebashkiakut. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Plarent Ndreca e cilësoi vendimin "jashtëzakonisht shqetësues" duke pretenduar se ishin shkelur garancitë kushtetuese. 

Ndërsa shtoi se do të vijojë përpjekja me çdo mjet juridik për lirimin e Veliajt. 

"Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë përbën një zhvillim jashtëzakonisht shqetësues për shtetin e së drejtës, sigurinë juridike, të drejtat themelore dhe mbi të gjitha, për demokracinë në këtë vend. Duke lënë në fuqi një vendimmarrje të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, ky vendim praktikisht ka lënë pa efekt detyrues vendimin e autoritetit më të lartë kushtetues të vendit.

Sigurisht, do ta analizojmë me përgjegjësi arsyetimin e plotë. Por rezultati i shpallur sot ngre një pyetje dramatike: çfarë vlere kanë garancitë kushtetuese nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen efektivisht? Kur një përfundim i tillë nuk gjen shpjegim bindës në Kushtetutë dhe në ligj, atëherë shkaqet duhen kërkuar përtej argumenteve juridike dhe jashtë sallës së gjyqit.

Pasojat shkojnë përtej një procesi individual. Ato mbajnë peng ushtrimin e mandatit të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, funksionimin normal të institucionit dhe vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë. Prej 19 muajsh, qytetarët e Tiranës janë privuar nga kryetari që kanë zgjedhur. Z. Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm dhe vazhdon të mbahet në paraburgim, ndonëse hetimi ka përfunduar prej një viti dhe çështja ndodhet në gjykim.

E gjithë kjo nuk është arsye për t’u dorëzuar, por për ta vijuar betejën. Mund ta izolojnë dhe t’i kufizojnë mundësinë për të folur, por nuk mund ta mundin politikisht nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Një politikan mundet me votë, përballë qytetarëve, dhe jo përmes “lawfare”-it.

Ne do të përdorim çdo mjet juridik që parashikon Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare.

Shqipëria meriton një drejtësi të standardeve evropiane, e cila garanton të drejtat, respekton vendimet kushtetuese dhe mbron demokracinë, mjetin më të lartë që qytetarët kanë në dorë për të vendosur se kush i përfaqëson dhe kush e drejton vendin"- shkruan Ndreca. Versus.al

5 ORE ME PARE

Gjykata e Lartë lë në burg Erion Veliajn

Gjykata e Lartë rrëzon Erion Veliajn, reagon Rama: Në burg pa

Gjykata e Lartë ka vendosur mosndryshimin e masës 'arrest me burg' për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Çështja e Veliajt u rikthye në Gjykatën e Lartë nga Gjykata Kushtetuese e cila e konsideroi masën e sigurisë ndaj tij si "jo proporcionale".

Teksa gjyqtarët merrnin vendimin në Dhomë Këshillimi, jashtë gjykatës dhjetëra qytetarë kërkuan mosndryshimin e masës së sigurisë për Veliajn. Ndërkohë përgjatë ditëve të fundit, në media kanë qarkulluar artikuj ku pretendohej se gjyqtarët do të merrnin vendimin për lirimin e Veliajt. 

Kryebashkiaku i Tiranës mbahet në paraburgimin e Durrësit që prej 10 shkurtit të vitit 2025 nën 13 akuza për 5 vepra penale. Ai nuk ka pranuar të shkojë as në seancat gjyqësore që mbahen në GJKKO për dosjen e tij. Versus.al

5 ORE ME PARE

"O gjykatës bëj drejtësi, lër Veliajn në qeli", qytetarët protestojnë para Gjykatës së Lartë

Gjykata e Lartë rrëzon Erion Veliajn, reagon Rama: Në burg pa

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur para godinës së gjykatës së Lartë mëngjesin e sotëm teksa në Dhomë Këshillimi shqyrtohet kërkesa e Erion Veliajt për ndryshimin e masës së sigurisë.

Me thirrjet “o gjyqtar bëj drejtësi, lër Veliajn në qeli”, qytetarët shprehën qëndrimin e tyre kundër polemikave dhe artikujve të shpërndarë në rrjetet sociale ku flitet për një skemë të mundshme të lirimit të kryebashkiakut.

Që prej orës 09:30 ka nisur seanca në Dhomën e Këshillimit të Gjykatës së Lartë. Versus.al

8 ORE ME PARE

Nën 13 akuza për 5 vepra penale, sot Gjykata e Lartë vendos për fatin e Erion Veliajt

Gjykata e Lartë rrëzon Erion Veliajn, reagon Rama: Në burg pa

Gjykata e Lartë mblidhet sot në orën 09:30 për të shqyrtuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj për të dalë nga qelia e paraburgimit ku po qëndron që prej 10 shkurtit 2025.

Seanca do të zhvillohet në një Dhomë Këshillimi me në qendër shqyrtimin e masës së sigurisë. Kjo çështje u rikthye për shqyrtim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila kërkoi rishikimin e proporcionalitetit të masës së sigurisë.

Pas argumentëve të palëve dhe rrethanave të çështjes, do të përcaktohet nëse masa e sigurisë do të vijojë të mbetet e njëjtë apo do të ndryshohet.

Nga ana tjetër, prej ditësh me anë të artikujve të ndryshëm disa media kanë nisur të përgatisin opinionin publik me idenë se kryebashkiaku mund të lirohet nga paraburgimi duke e ndërtuar të gjithë këtë retorikë mbi argumentin se kryeqyteti nuk mund të funksionojë siç duhet pa një kryetar.

Ndaj Veliajt rëndojnë 13 akuza për kryerjen e 5 veprave penale, konkretisht; fshehje pasurie, pastrim parash, korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli. Nga ana tjetër Veliaj prej muajsh nuk shkon në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij në GJKKO. Versus.al

Poll