Erion Veliaj do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e 13 marsit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, duke rrëzuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit në burg me një masë më të butë sigurie.
Tre gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, Sandër Simoni, Genti Shala dhe Valbon Çekrezi, nuk pranuan kërkesën e mbrojtjes për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Çështja u shqyrtua pas rikthimit nga Gjykata Kushtetuese, e cila kishte kërkuar që Gjykata e Lartë të argumentonte në mënyrë të plotë se përse masat e tjera të sigurimit, të parashikuara nga ligji, nuk do të ishin të përshtatshme në rastin e Veliajt.
Kryebashkiaku i Tiranës mbahet në paraburgim që prej shkurtit të vitit 2025, ndërsa paralelisht vijon procesi gjyqësor në themel, ku ai përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të palejuara në ambientet e paraburgimit, të cilat kryebashkiaku i ka mohuar.
Vendimi i Gjykatës së Lartë u dha në Dhomë Këshillimi, ndërsa jashtë ambienteve të gjykatës u mblodhën disa protestues.
Ata festuan vendimin e Gjykatës së Lartë me thirrjet: Erion Velia’, si të duket qelia?
© SYRI.net