Rajoni

PDK-ja dërgon në Kushtetuese edhe Qeverinë “Kurti IV”!

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) sot i drejtohet Gjykatës Kushtetuese edhe lidhur me mënyrën e konstituimit të Qeverisë Kurti IV, një ditë pasi në këtë institucion kontestoi procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri dhe deputeti Përparim Gruda do të mbajnë konferencë për media para objektit të Gjykatës Kushtetuese, në orën 09:00.

PDK-ja pritet të kërkojë vlerësimin e kushtetutshmërisë së procesit, përmes të cilit u konstituua Qeveria Kurti IV, e votuar pasi përfundoi procesi i konstituimit të Kuvendit.

Ky veprim vjen një ditë pasi PDK-ja iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar mënyrën e konstituimit të legjislaturës së re.

Kuvendi u konsiderua i konstituuar edhe pse nuk ishin zgjedhur të pesë nënkryetarët. Kandidatja e PDK-së për këtë post, Vlora Çitaku, nuk mori votat e nevojshme për t’u zgjedhur.

PDK-ja e pati tërhequr përkohësisht kandidaturën e Çitakut, ndërsa më pas kundërshtoi përfundimin e seancës së konstituimit, pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

Një ditë më parë, Tahiri deklaroi:

PDK-ja po kërkon nga ky institucion të vlerësojë kushtetutshmërinë e procesit të konstituimit të Kuvendit.

PDK-ja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese edhe caktimin e një mase të përkohshme, me arsyetimin se duhet të parandalohen pasoja të mëtejshme juridike e institucionale.

Kontestimi i sotëm i Qeverisë Kurti IV lidhet drejtpërdrejt me çështjen e konstituimit të Kuvendit, pasi ekzekutivi i ri u votua nga Kuvendi në përfundim të këtij procesi.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.