Aktualitet

Dosja “Revanshi”/ 50 vite burg për 7 të pandehur, mes tyre Durim Bami!

GJKKO dha vendimin për 7 të pandehurit e dosjes “Revanshi”, një prej hetimeve të SPAK-ut për veprimtarinë e grupeve të strukturuara kriminale. Dënimi më i lartë u vendos për Durim Bamin, me 10 vite e 8 muaj burgim, ndërsa në total gjykata dha rreth 50 vite heqje lirie.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur vendimin për Jozi Krajën, Aldo Avdylin, Oltion Zefin, Edson Jozwikun, Henerigert Mitrin, Durim Bamin dhe Altin Morinën.

Vendimi është dhënë këtë të martë (15 shtator), pas një procesi që u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në vendimin e saj, gjykata i ka shpallur fajtorë të shtatë të pandehurit për vepra të ndryshme penale, ndërsa për një nga akuzat ndaj Durim Bamit ka dhënë pafajësi.

Durim Bami është dënuar me 10 vite e 8 muaj burgim. Gjykata e shpalli fajtor për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit A.N., në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Ai u shpall gjithashtu fajtor për krijimin, drejtimin apo organizimin e grupit të strukturuar kriminal në lidhje me veprat penale kundër jetës, si dhe për kultivim të bimëve narkotike.

Pas bashkimit të dënimeve, Bami u dënua me 16 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u ul në 10 vite e 8 muaj burgim.

Për një tjetër akuzë, atë të sigurimit të kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasve T.Xh. dhe E.M., Bami u shpall i pafajshëm.

Jozi Kraja dhe Aldo Avdyli, alias Elidon Avdyli, janë dënuar secili me 4 vite e 8 muaj burgim.

Të dy u shpallën fajtorë për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasve D.B. dhe V.B., në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ata u shpallën gjithashtu fajtorë për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Dënimet e përcaktuara nga gjykata janë:

Durim Bami – 10 vite e 8 muaj burgim

Oltion Zefi – 10 vite burgim

Edson Jozwik – 8 vite burgim

Altin Morina – 6 vite e 8 muaj burgim

Henerigert Mitri – 5 vite e 4 muaj burgim

Jozi Kraja – 4 vite e 8 muaj burgim

Aldo Avdyli – 4 vite e 8 muaj burgim

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.