web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kur propaganda dhe mashtrimi dështojnë përballë drejtësisë

15 Shtator 2026, 11:57, Editorial CNA

Kur propaganda dhe mashtrimi dështojnë përballë

Gjykata e Lartë, me një vendim të Kolegjit Penal të saj, sot ka lënë në burg kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliajn. 

Ai mbahet në qeli prej 19 muajsh, ndërkohë prej gati 14 muajsh dosja e tij është çuar në gjykatë dhe ai refuzon të gjykohet duke mos u paraqitur, duke shtyrë seancat apo duke ndërruar avokatët. Skema nga më të ndryshmet.

Prej javësh Tirana është mbushur në qarqet mediatike dhe politike me argumentin: “Do të dalë Veliaj se e nxori Gjykata Kushtetuese”.

Në fakt, siç CNA e ka thënë në mënyrë të pandalshme, Gjykata Kushtetuese e kishte në dorë ta lironte, të thoshte “nxirreni jashtë Erion Veliajn”, por nuk e bëri këtë veprim. Gjykata Kushtetuese i tha Gjykatës së Lartë arsyeto pse kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, duhet mbajtur në burg.

Argumentet e Gjykatës së Lartë kanë qenë të shpeshta dhe të vërteta ashtu siç kanë qenë në të gjitha nivelet e gjykatave.

Erion Veliaj nuk mund të kthehet në detyrë për një arsye shumë të thjeshtë. Mund të përsërisë sërish të njëjtat krime. Ka të paktën 9 akuza për korrupsion në atë zyrë si kryetar bashkie.

Gjithashtu mund të prishen provat siç është rasti i Klotilda Bushkës, e cila është kapur duke prishur provat dhe avokati i pandehur i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, në studion e "Top Channel" tha se “çfarë lidhje ka kjo me Erionin”.

Klotilda Bushka, provat për Erion Veliajn prishte, jo për veten e saj, se nuk kishte qenë kryetare bashkie. Për më tepër, 14 muaj, Erion Veliaj refuzonte të gjykohej.

A mund të nxirrte Gjykata e Lartë jashtë dikë që nuk pranon të shkojë të gjykohet?

Nuk kishte pse ta kërkonte në Gjykatë të Lartë dhe në Gjykatë Kushtetuese, sepse në 14 muaj gjyqi mund të kishte mbaruar 14 herë.

Sot fitoi drejtësia dhe ra maska e propagandës, ranë megafonat e saj, të atyre që u përpoqën dje nëpërmjet presionit të madh “ta lironin” Erion Veliajn, presionit të paparë mediatik, pa ndalim.

Po a mund të lirohet dikush se ka qejf Mero Baze apo Carlo Bollino, "Top Channel" apo dikush tjetër?

A mund të lirohet dikush me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale dhe të shkojë në zyrë se kështu ka qejf Lorenc Vangjeli apo ndonjë tjetër?

A mund të lirohet dikush nga burgu që ka 14 muaj që nuk shkon të gjykohet dhe do të dalë se ka qejf Erion Veliaj?

Kur, lehtësisht ai mund të kishte qenë jashtë duke shtyrë procesin e tij gjyqësor në GJKKO.

Gjykata e Lartë foli.

Tashmë shumica e atyre që prisnin që Erion Veliaj të dilte shpresojmë të mos jenë zhgënjyer, por kryetari i bashkisë në detyrë le ta përdorë këtë si moment reflektimi, ndoshta duke dhënë dorëheqjen si kryetar bashkie dhe duke bërë një kërkesë për lirim pasi nuk është më në kushtet për të prishur provat apo për të përsëritur krimin.

Me një dorëheqje, ndoshta nuk ka gjykatë që e mban dot brenda, as Gjykata e Lartë dhe as Gjykata Kushtetuese sepse duke mos qenë kryetar bashkie i bien të gjitha argumentet e SPAK-ut për kërkesën për ta mbajtur në qeli apo dhe argumentet e shtruara nga gjykata në vendimin e saj.

Ata që u zhgënjyen sot, në qoftë se e duan apo vetë Erion Veliaj e do veten e tij duket qartë se e gjithë procedura ligjore tashmë është në një pikë, nëse do të dalë jashtë dhe të shkojë te familja, ai thjesht duhet të japë dorëheqjen.

Në rast se nuk kërkon të kthehet në shtëpi, por do të vazhdojë të jetë i lidhur pas karriges së kryebashkiakut thjesht dhe vetëm do të zgjasë kohën e tij në qeli. /CNA





Lajmet e fundit nga