Kush ishte Flora Brovina? Gruaja që e ktheu dhimbjen në poezi, mjekësi dhe qëndresë

15 Shtator 2026, 12:16Kulturë TEMA
Kush ishte Flora Brovina? Gruaja që e ktheu dhimbjen në poezi,

Ajo tregonte se gazetaria e kishte nxitur të interesohej për fusha të ndryshme të jetës dhe ta njihte Kosovën nëpërmjet punës në terren.

Që në fëmijëri, Brovina ishte e lidhur fort me librin. Për shkak të një fëmijërie të vështirë dhe natyrës së saj të mbyllur, ajo e gjeti te letërsia një mënyrë komunikimi.

Dashuria për librin u kthye më vonë në poezi dhe në shkrime letrare. Në shkollën fillore, mësuesja e saj, Lirie Tanefi nga Elbasani, ishte ndër personat që e frymëzuan për të shkruar. Brovina më pas udhëhoqi edhe grupin letrar në shkollë.

Një nga figurat më të rëndësishme në jetën e Brovinës ishte gjyshja e saj, të cilën ajo e konsideronte modelin e parë të saj për barazinë gjinore dhe qëndresën.

Gjyshja, e lindur në vitin 1900, kishte përjetuar burgosje, luftë dhe humbje. Ajo kishte qenë aktive në veprimtaritë e grave të Gjakovës gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe ishte përfshirë në protesta kundër burgosjeve, në mobilizim dhe në aktivitete të tjera të kohës.

Brovina e kujtonte veçanërisht një këshillë të gjyshes: “Të ecësh kryelartë, për mikun dhe armikun.”

Përvojat e gjyshes ndikuan edhe në mënyrën se si Brovina e shihte luftën. Ajo nuk e shihte konfliktin vetëm përmes ndarjes “mik-armik”, por përmes dhimbjes njerëzore që lufta ua shkakton të gjithëve.

Nga ana tjetër, Brovina studimet e mjekësisë i nisi në Beograd dhe i përfundoi në Prishtinë. Fillimisht kishte menduar edhe për stomatologjinë, ndërsa mjekësinë e kishte zgjedhur edhe për shkak të dëshirës së nënës së saj.

Përfundimisht u specializua në pediatri dhe iu përkushtua kujdesit për fëmijët.

Përvoja e saj personale, profesioni i mjekes, letërsia dhe gazetaria u ndërthurën në një jetë të karakterizuar nga angazhimi shoqëror.

Gjatë luftës në Kosovë, ajo u angazhua në ofrimin e ndihmës mjekësore dhe kujdesit për fëmijët, ndërsa pas përfundimit të luftës u bë një nga figurat e njohura publike të Kosovës.

Historia e Flora Brovinës është historia e një gruaje që u rrit në një familje të goditur nga burgosjet politike, por që e shndërroi atë përvojë në forcë.

Ajo e ndërtoi jetën mes librave, mjekësisë dhe gazetarisë, ndërsa figura e gjyshes mbeti një pikë referimi për mënyrën se si e kuptonte lirinë, dinjitetin dhe barazinë e gruas.

Më 20 prill 1999, gjatë Luftës së Kosovës, Flora Brovina u rrëmbye nga shtëpia ku po qëndronte. Sipas dëshmive, tetë persona të maskuar, pjesëtarë të forcave paramilitare serbe, e morën me vete dhe e dërguan me makinë në një destinacion të panjohur.

Lajmi për rrëmbimin e saj u bë publik më 24 prill 1999, kur djali i saj arriti të kontaktonte organizatën ndërkombëtare të shkrimtarëve PEN, duke kërkuar që rasti i saj të bëhej i njohur në mbarë botën.

Brovina u transferua më pas në një burg serb në Pozharevc. Gjatë muajit të parë të paraburgimit, ajo iu nënshtrua më shumë se 200 orë marrjeje në pyetje, në 18 seanca të veçanta. Seancat zakonisht zhvilloheshin nga ora 07:00 deri në 17:00.

Më 9 dhjetor 1999, në një proces gjyqësor të zhvilluar në Serbi, Brovina u akuzua për “veprimtari terroriste”, në bazë të nenit 136 të Kodit Penal të Jugosllavisë. Ajo u dënua me 12 vjet burgim.

Në qershor të vitit 2000, Gjykata Supreme e Serbisë e anuloi vendimin dhe urdhëroi zhvillimin e një gjykimi të ri.

Pas presionit të madh ndërkombëtar, Flora Brovina u lirua nga burgu në tetor të vitit 2001.

Rasti i saj u bë një nga shembujt më të njohur të persekutimit të shqiptarëve të Kosovës gjatë dhe pas luftës, ndërsa figura e saj mbeti e lidhur me mjekësinë, poezinë, mbrojtjen e fëmijëve dhe angazhimin për të drejtat e njeriut.

Flora Brovina u bë anëtare e Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike në Kosovë (PDK) në qershor 2002.

Ajo ishte edhe deputete e Kuvendit të Kosovës.

Flora Brovina vdiq më 15 shtator 2026, në moshën 76-vjeçare. /Klankosova.tv

Lini një Përgjigje