Tensionet në Baltik, fregata ruse lëshon raketa pranë helikopterit danez

Një fregatë ruse ka lëshuar dy raketa sinjalizuese në drejtim të një helikopteri ushtarak danez, teksa ky i fundit ndodhej në ujërat ndërkombëtare, në brigjet e Danimarkës. Të dyja raketat kaluan pranë helikopterit, pa e goditur atë.
Ngjarja është bërë e ditur nga ushtria daneze, shtet anëtar i NATO-s, e cila ka njoftuar se helikopteri po kryente një mision rutinë për fotografimin e anijes ruse. Sipas Komandës së Mbrojtjes së Danimarkës, incidenti ka ndodhur në Detin Baltik.
Kopenhaga pritet të thërrasë ambasadorin rus për të diskutuar mbi incidentin. Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, deklaroi për agjencinë Ritzau se me këtë veprim Moska ka “kaluar kufijtë”.
Incidenti vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s në rajonin e Detit Baltik.




