web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Skandali me pasigurinë ushqimore/ Zyrtarët që lejuan në treg produkte me pesticide

15 Shtator 2026, 12:25, Denoncim CNA

Skandali me pasigurinë ushqimore/ Zyrtarët që lejuan në treg

Siguria ushqimore në Shqipëri po kërcënohet vazhdimisht nga neglizhenca, mungesa e kontrolleve, prodhimet e rrezikshme të importit dhe plot faktorë të tjerë.

Nuk është çështja vetëm për një element që në këndvështrimin e parë lidhet me prodhimet që qarkullojnë në treg, pasi në thelb mbart shqetësimin që ngrihet për shëndetin e konsumatorit vendas.

CNA raportoi një ditë më parë një denoncim të mbërritur në redaksi, përmes të cilit pretendohet se dy inspektore të Autoritetit të Kontrollit Ushqimor, shtetaset I.A. dhe A.H., kanë lejuar qarkullimin në treg të një sasie perimesh importi të konservuara me prani mbi normën e lejuar të përmbajtjes së pesticideve.

Rasti lidhet me një konstatim të bërë publik fillimisht nga Qendra Alert në shkurt të këtij viti, e që më pas çoi në nisjen e një hetimi administrativ nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Gjithashtu, sikundër u publikua më herët, përmes burimeve konfidenciale u mësua se ndaj dy punonjëseve të AKU-së, Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm ka vendosur javën e kaluar shkarkimin e tyre nga detyra, ndërsa urdhri nuk është bërë ende publik.

CNA sjell sot fakte dhe detaje të tjera të rastit që ngre edhe më shumë alarmin për mungesën e sigurisë ushqimore në Shqipëri.

Bazuar në akt–konstatimin e kryer pak ditë pas nisjes së hetimit administrativ, nga verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit të marrë nën shqyrtim, konstatohet se zinxhiri i drejtorive përgjegjëse nuk ka reaguar në kohën e duhur.

Drejtoria e Menaxhimit të Rriskut dhe Koordinimit të Kontrolleve Zyrtare dhe konkretisht, Sektori i Koordinimit të Kontrollit të Ushqimit, Ushqimit për Kafshë dhe Operatorëve të Biznesit Ushqimor, në Drejtorinë e Përgjithshme, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, nuk ka reaguar menjëherë në kohë për hartimin e planit të punës, vlerësimin, trajtimin dhe marrjen e masave për monitorimin e situatës, ndërkohë sipas "Qendrës Alert" produkti në atë periudhë ka qenë në treg dhe vazhdon të konsumohet nga qytetarët.

Sipas dokumentit të siguruar nga CNA, vlerësohet se këto drejtori, duke mos marrë masa të menjëhershme për rastin e përmendur me turshi importi me pesticide, kanë kryer edhe shkelje ligjore, të nenit 4, pika 1, germa “a” dhe “e” të rregullores cituar më lart, janë parashikuar rastet që kërkojnë marrjen e ushqimit që përmban substanca të ndaluara sipas legjislacionit Europian ose Kombëtar, ose substanca për të cilat kapërcehen normat ose kufijtë e lejuar ose përcaktuar.

Në këtë rast, konstatohet se Sektori i Koordinimit të Kontrollit të Ushqimit në Drejtorinë e Përgjithshme, AKU, ka neglizhuar në kohë për marrjen e masave të menjëhershme për monitorimin e rastit në kundërshtim me dispozitat e parashikuara në rregullore.

Institucione që duket sikur nuk ekzistojnë, nuk reagojnë dhe nuk veprojnë, duke lënë mënjanë paralajmërimet ligjore, por duke vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve, ndërsa pretendohet për afrim të standardeve ushqimore me ato të vendeve të Bashkimit Europian, ndaj të cilave, mesa duket, janë ende shumë hapa larg./CNA





Lajmet e fundit nga