GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës, lihet në paraburgim! S'lejohet të dalë as nga kafazi i qelqtë në këtë gjykatë

GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës, lihet në paraburgim! S'lejohet të dalë as nga kafazi i qelqtë në këtë gjykatë

12:26, 15/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

GJKKO nuk ka pranuar të ndryshojë masën e sigurisë për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ai do të vijojë të qëndrojë nën masën e ‘arrestit me burg’

Ndryshe nga Apeli i GJKKO-së, GJKKO nuk ka pranuar kërkesën e Metës që gjatë procesit gjyqësor të qëndrojë jashtë kafazit të qelqtë përkrah avokatit të tij.

Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit 2024. Partia e Lirisë ka denoncuar 'persekutimin politik' që po i bëhet presidentit të tyre me urdhër të kryeministrit Edi Rama. 

Gazetari i Syrit, Fatjon Gjinaj informon detaje nga seanca sot.

Pati debat gjyqësor për rreth 2 orë e 30 minuta prej orës 10 të mëngjesit dhe deri tani, por përkundër pretendimeve të avokatëve se nuk ekzistojnë kushtet për ta mbajtur zotin Meta në paraburgim por me një masë më të lehtë sigurie, dhe përballë kërkesës së organit të akuzës së posaçme që nuk duhet të ndryshojë masa e sigurisë, togat e zeza vlerësuan dhe vendosën që zoti Meta të qëndrojë në paraburgim.

Çështja penale ndaj ish-presidentit të Republikës, aktualisht president i Partisë së Lirisë, forcës së dytë më të madhe opozitare, është duke vijuar në themel, një gjykim që ka nisur prej disa kohësh, ku zoti Meta akuzohet për disa dosje dhe çështje penale, përfshirë çështjen e lobimit apo të pasurisë dhe që është në fazën e gjykimit në themel.

Ai i ka mohuar vazhdimisht akuzat e për më tepër u është drejtuar me disa kërkesa të gjitha shkallëve të gjyqësorit për ndryshimin e masës së sigurisë duke e konsideruar joproporcionale në raport jo vetëm me, sipas mbrojtësve të tij, pretendimet e SPAK dhe akuzat e ngritura ndaj tij, por edhe me rrethanat në të cilat ai ndodhet.

Ndërkohë që gjatë kohës në paraburgim, zoti Meta ka bërë një sërë ankesash publike por edhe institucionale sa i takon kushteve në mbajtjen e tij në paraburgimin 313 ku i ndalohet takimi me familjarë, përfshirë edhe për t'u konsultuar në mënyrë juridike me ekspertë të fushës apo për të dhënë deklarata apo intervista televizive apo mediatike, por edhe sa i takon trajtimit dhe kushteve që ka në tërësi sipas ankesave të tij paraburgimi i 313-ës që është edhe një burg i sigurisë së lartë.

Kanë reaguar dhe një sërë institucionesh lidhur me kushtet me të cilat ai mbahet në burg, përfshirë edhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, i cili në disa raste ka evidentuar pas inspektimeve situatën e rëndë të theksuar në raportet e saj në të cilat mbahet ish-kreu i shtetit.

Tashmë me kërkesën që u rrëzua sot në shkallën e parë, Meta pritet të shfrytëzojë natyrisht edhe hallkat e tjera të gjyqësorit për të ankimuar masën e sigurisë që është në fuqi prej tetorit 2024.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco